Kryeministri britanik Keir Starmer, në një intervistë për gazetën “The Sun”, doli kundër sulmeve që po bëhen në adresë të Shqipërisë për sa i përket emigrantëve të paligjshëm.

Kjo deklaratë i referohet pikërisht përplasjeve të forta në distancë mes liderit të së djathtës ekstreme, Nigel Farage, dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama për këtë çështje. Starmer deklaroi se disa kishin hedhur fyerje ndaj vendeve si Shqipëria, në vend që të bashkëpunonin, duke nënkuptuar qëndrimet e Farage.

Një qëndrim i tillë vjen një ditë pas deklaratës që kryeministri Edi Rama bëri në Londër, në një panel në “Chatham House”, ku iu kërkoi politikanëve britanikë që ta mbyllnin gojën dhe të mos i përdornin shqiptarët si “kokë turku” për politikat e brendshme lidhur me çështjet e emigracionit.

Kryeministri britanik dha këtë intervistë përpara nisjes së Samitit të Berlinit, ku të ftuar janë liderët e Ballkanit Perëndimor.

Për “The Sun”, Starmer theksoi se është zotuar që të mbyllë sa më shpejt atë që e konsideron si “autostradën kriminale” që kalon përmes Ballkanit Perëndimor dhe që, sipas tij, po e përmbyt Britaninë me emigrantë të paligjshëm.

“Ekziston një autostradë kriminale që kalon nëpër Ballkanin Perëndimor, duke i çuar emigrantët e paligjshëm direkt në Mbretërinë e Bashkuar. Detyra jonë është ta mbyllim atë dhe të shkatërrojmë bandat që e drejtojnë atë,” tha Keir Starmer.

Londra shpreson për arritjen e marrëveshjeve me vendet e treta, ku përfshihet edhe Ballkani Perëndimor, për pranimin e emigrantëve të paligjshëm të cilëve u është refuzuar qëndrimi.

Por kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë se Shqipëria nuk do të pranojë të ngrejë qendra pritjeje për emigrantët, të ngjashme me ato të Gjadrit.

Tv Klan

/tvklan.al