Kryeministri britanik Keir Starmer pritet të presë presidentin francez Emmanuel Macron në një vizitë shtetërore treditore në Mbretërinë e Bashkuar. Në qendër të diskutimeve do të jenë çështjet e emigracionit të parregullt, bashkëpunimit në mbrojtje dhe përpjekjet për të mbështetur Ukrainën në konfliktin me Rusinë.
Macron do të mbajë një fjalim para Parlamentit britanik të martën, ndërsa të enjten pritet të zhvillojë bisedime të thella me Starmer, pak para një takimi virtual me aleatët evropianë të Ukrainës për sigurimin e mbështetjes ushtarake, teksa sulmet ruse intensifikohen.
Një nga çështjet më të diskutueshme mbetet marrëveshja e mundshme për migracionin, ku po konsiderohet një program pilot “një brenda një jashtë”. Sipas tij, Mbretëria e Bashkuar do të mund të kthejë në Francë një person që ka hyrë në mënyrë të paligjshme me anije, në këmbim të pranimit të një emigranti tjetër me shanse më të larta për azil, si për shembull për bashkim familjar. Megjithatë, zyrtarët britanikë nuk janë optimistë për arritjen e një marrëveshjeje të plotë gjatë vizitës.
Migracioni i parregullt mbetet një problem i madh mes dy vendeve, me kalimet ilegale nga Franca drejt Britanisë që janë rritur me rreth 50% këtë vit, duke kaluar 20,000 persona në gjysmën e parë të vitit. Britania ka vënë presion mbi Francën për të shtuar kontrollet përgjatë bregdetit, duke i dhënë rreth 700 milionë paund për të blerë pajisje si dronë dhe për të punësuar më shumë policë. Franca ka ndërmarrë edhe masa kontroverse, përfshirë prerjen e gomoneve në det për të ndaluar largimin e tyre.
Vizita e Macron shënon një rikonfirmim të marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve, të cilat janë përpjekur të përforcojnë bashkëpunimin pas Brexit-it, përfshirë në fusha si mbrojtja, siguria dhe tregtia. Në maj, Starmer nënshkroi një marrëveshje fillestare me Bashkimin Evropian për bashkëpunim në mbrojtje dhe përmirësimin e tregtisë së ushqimeve dhe produkteve bujqësore.
Në agjendën e takimeve do të jetë edhe projekti bërthamor Sizewell C në Suffolk, që po zhvillohet nga kompania shtetërore franceze EDF, me qeverinë britanike dhe një konsorcium investitorësh privatë pranë një vendimi final për investim.
Përveç kësaj, Starmer dhe Macron kanë bashkëpunuar ngushtë për të mbështetur Ukrainën, duke lobuar kundër tërheqjes së mbështetjes nga administrata Trump. Ata janë përpjekur të rindërtojnë “koalicionin e të gatshmëve” një grup vende evropiane, përfshirë Gjermaninë, që kanë premtuar mbështetje ushtarake për Ukrainën edhe pas një armëpushimi eventual me Rusinë.
Që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, të dy liderët kanë bërë vizita të përbashkëta në Kiev dhe kanë diskutuar mundësinë e vendosjes së një force sigurie evropiane si garanci pas armëpushimit, përfshirë trupa tokësore dhe avionë. Megjithatë, nuk është arritur konsensus për këtë nismë, pasi disa vende kërkojnë garanci nga SHBA-ja për mbështetjen e saj.
Vizita e Macron do të përfshijë edhe një takim me Mbretin Charles III, para pritjes së pritshme të këtij të fundit me presidentin amerikan Donald Trump më vonë gjatë vitit.
Në një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, Starmer vuri në dukje rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes ushtarake për Ukrainën dhe përgatitjet për një të ardhme pas armëpushimit./tvklan.al












Botërori 2026 
