Bashkia Kamëz shndërron pyllin në zall dhe e jep me qira për stalla.

Në nisje të emisionit shfaqet një dokument i taksave absurde në bashkinë e Kamzës.Një grup banorësh të Laknasit, në zonën e quajtur “Plepat e Brukes”, bashkia Kamëz tregojnë, se jetojnë këtu prej 300 vjetësh.Por rastësisht mësojnë, se bashkia ia ka dhënë pyllin me qira një shoqërie, që do ta shndërrojë në stallë bagëtish.Banorët thonë, se që të arrihet qëllimi, pylli është regjistruar si zallishte.Kërkesat zyrtare e peticionet, nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga bashkia Kamëz dhe as nga portali i bashkëqeverisjes.Në zyrën e kadastrës së Kamzës, specialistja Fatmira Tane shprehet, se sipërfaqja, për të cilën flitet, rezulton zall, jo pyll.

Këshilli i Ministrave s’njeh vendimet gjyqësore, fsheh buxhetin për dëmshpërblimet.

Emisioni “Stop” në Tv Klan mbrëmjen e sotme ka denoncuar rastin kur Këshilli i Ministrave nuk zbaton vendimet e formës së prerë të gjykatave për të dëmshpërblyer punonjësit e larguar padrejtësisht nga puna. Bëhet fjalë për rastin e zonjës Vilma Kadesha, e cila në Janar të vitit 2013 punonte në Këshillin e Ministrave si anëtare e Komisionit të Prokurimit Publik. Shkurtimet nga puna prekën dhe atë, e cila u pushua pa motivacion.

Çështja shkoi në gjykatë dhe kjo e fundit i dha të drejtë znj.Vilma Kadesha se ishte larguar padrejtësisht nga puna dhe fitoi të drejtën e dëmshpërblimit të 40 milionë Lekëve të vjetra. Këtë shumë parash që duhet t’ia paguajë Këshilli i Ministrave, ende nuk e ka marrë. Zonja ka pajtur një përmbarues privat që të ekzekutojë vendimin e formës së prerë të gjykatës. Ka kaluar më shumë se një vit, dhe përmbaruesi nuk gjen paratë që t’i sekuestrojë Këshillit të Ministrave. Për t’i dhënë zgjidhje situatës, i është drejtuar me disa shkresa Këshillit të Ministrave, por nuk ka marrë përgjigje.

“Zonja Kadeshaj i është drejtuar shërbimit përmbarimor gjyqësor duke kërkuar ekzekutimin e këtij titulli ekzekutiv dhe konkretisht më datë 21 Korrik 2017 nga ana e shoqërisë përmbarimore private kanë filluar procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm duke i kërkuar Këshillit të Ministrave si palë debitore në këtë procedurë ekzekutimi që të përmbushë detyrimin sipas vendimit të formës së prerë të Gjykatës. Konstatojmë se nga data 12 Korrik 2017 kur ka filluar ekzekutimi i detyrueshëm deri sot ka kaluar mbi 1 vit dhe nga ana e Këshillit të Ministrave nuk ka asnjë reagim në lidhje me përmbushjen e këtij detyrimi ligjor sipas një vendimi të formës së prerë. Kjo heshtje konsiderohet si një shkelje dhe cënim e parimit të një procesi të rregullt ligjor. Në këto kushte kemi qenë të detyruar të kontaktojmë me emisionin tuaj me qëllim që t’i japim një zgjidhje problemit të krijuar nga ana e organit debitor që është Këshilli i Ministrave”.

Çfarë ka ndodhur konkretisht? Pasi Këshilli i Ministrave nuk paguante shumën prej 40 milionë Lekësh që gjykata i dha në favor të znj.Kadesha për largimin e padrejtë nga puna, përmbaruesi privat vendosi sekuestro konservative në buxhetin e Këshillit të Ministrave. Që do të thotë se paratë e qeverisë në buxhetin e përcaktuar për zbatimin e vendimeve të formës së prerë, bllokoheshin të gjitha. Por, përmbaruesi nuk gjeti aty asnjë qindarkë. Ky buxhet i Këshillit të Ministrave ishte bosh.

Por, emisioni “Stop” zbuloi se Këshilli i Ministrave ka krijuar një fond të fshehtë, një nënstrukturë të posaçme që quhet “Aparati i Këshillit të Ministrave”. Nga kjo nënstrukturë lëvrohen fondet për ekzekutimin e vendimeve të formës së prerë, por Këshilli i Ministrave nuk ka autorizuar ende sot e kësaj dite shumën prej 40 milionë Lekësh që duhet t’i paguhet zonjës për pushimin nga puna pa motivacion. “Stop” prej dy muajsh i është drejtuar me shkresë Kryeministrisë, por nuk ka marrë përgjigje për këtë situatë.

Uzina Mjekës le punonjësit 8 muaj pa paga e 8 vjet pa sigurime shoqërore.

Disa punonjës të uzinës së lëndëve plasëse në Mjekës të Elbasanit, denoncojë në emisionin “Stop”, se nuk marrin pagën prej 8 muajsh, dhe nuk u janë derdhur detyrimet e sigurimeve shoqërore prej 2 vjetësh. Kastriot Elezi dhe Petrit Suli, thonë, se nuk po ia dalin dot më, ndaj kërkojnë një zgjidhje.

Kastriot Elezi: Punoj prej rreth 13 vitesh në këtë uzinë dhe kemi rreth 8 muajsh pa marrë rrogën dhe 2 vjet pa paguar siguracionet. Nuk na japin asnjë përgjigje. Jam duke kërkuar borxh, unë shtetit ja laj ujin dhe dritat, po ky qenka shtet më i keq, si ai i regjimit të Enver Hoxhës. 250 mijë Lekë të vjetra, nuk i marrim prej 8 muajsh.

Petrit Suli: Jam elektriçist në uzinë, kam 5 vite që punoj dhe na mbajnë me shpresa, jo këtë muaj, jo atë muaj dhe u bënë 8 muaj pa rroga. U detyruam të kontaktojmë me ju të emisionit “Stop” për t’ju kërkuar ndihmë që problemi jonë të zgjidhet.

Gazetarja e “Stop” arriti të kontaktojë me drejtorin e uzinës Mjekës, Faik Gjolena, i cili tha, se puna në uzinë varet nga projektet, që sjell Ministria e Mbrojtjes. Gjolena premtoi, se që nga muaji Mars, do të nisë ndryshimi i situatës dhe gradualisht punonjësit do të marrin pagat e prapambetura e do t;u derdhen sigurimet shoqërore.

Faik Gjolena, drejtori u Uzinës Mjekës: Shqetësimi i punëtorëve që është drejtuar në redaksinë e emisionit “Stop” qëndron. Realisht janë 8 muaj pa marrë rrogat dhe 17 muaj pa u paguar siguracionet. Falë këmbënguljes tonë dhe përpjekjes së Ministrisë së Mbrojtjes tonë ky projekt u bë i mundur para 4-5 ditësh. Ky projekt u mundësua nga Ministria e Mbrojtjes dhe ne na bën që kjo ndërmarrje të vazhdojë punën për një vit. Ky projekt do arrijë të mbulojë pagat e këtyre 8 muajve që nuk janë dhënë dhe defiçitin e sigurimeve shoqërore dhe më pas në vazhdim. Në muajin Mars do të marrin pagat, mund të marrin 2-3 paga të prapambetura dhe në muajt e tjerë po ashtu.

Kastriot Elezi: Faleminderit emisionit “Stop”, na keni zgjidhur hallet e të gjithë popullit shqiptar, jo vetëm ne të uzinës”.