Raporti seksual me 15 vjeçaren me probleme mendore, pranga autorit dhe ndërmjetëses
Policia e Lezhës ka vënë në pranga shtetasit Elton Kola dhe Albina Gjokëhilaj, pas transmetimit të emisionit Stop, lidhur me rastin e 15-vjeçares me probleme të shëndetit mendor, që përfundoi në hotel me 37-vjeçarin. Ngjarja u bë publike pas denoncimit të familjarëve të vajzës së mitur, e cila ishte njohur në TikTok me një grua rreth 50 vjeçe, dhe kjo e fundit, e kishte prezantuar me Elton Kolën. E mitura ishte larguar nga banesa pa dijeninë e familjes dhe kishte udhëtuar drejt Lezhës, ku ishte takuar me të. Sipas dëshmisë së saj, të dy kishin qëndruar për disa orë në një hotel dhe kishin kryer marrëdhënie seksuale. Vajza pretendoi se, pasi kishte konsumuar një pije energjike, kishte pasur probleme dhe nuk kishte kuptuar më, se çfarë po ndodhte. Ndërkohë, vetë 37-vjeçari Elton Kola pranoi takimin dhe raportin seksual, duke pretenduar, se vajza e kishte provokuar vetë. Familjarët kërkuan hetim për ngjarjen, duke ngritur shqetësimin edhe për mënyrën se si ishte trajtuar denoncimi i tyre në polici.
Denoncime për mashtrim e falsifikim, në pranga noterja Haxhiu dhe dy zyrtarët bashkëpunëtorë
Noterja Anila Haxhiu, ish-drejtori i Kadastrës Fier, Arben Vojo, dhe kryetari i Njësisë Administrative Dermenas, Dilaver Shyti, arrestohen me vendim të Gjykatës së Fierit, me masën e sigurisë “Arrest me burg”, për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Emisioni “Stop” ka denoncuar në disa raste veprimtarinë e noteres Haxhiu, pas ankesave të qytetarëve, që pretendonin, se kishin paguar për akte noteriale dhe shërbime pronësie, por kishin mbetur pa certifikata pronësie. Gjatë investigimit u evidentuan edhe dyshime për falsifikim vule dhe përdorim të NIPT-it të një fermeri pa dijeninë e tij. Si të mos mjaftonin abuzimet me profesionin, noterja kishte ushtruar edhe dhunë ndaj grupit të xhirimit, rast për të cilin u përfshinë Policia, Prokuroria dhe Gjykata. Pavarësisht denoncimeve dhe reagimeve të atëhershme institucionale, Haxhiu vijoi aktivitetin e saj. Tashmë, drejtësia ka marrë masën e arrestit me burg për të tre personat. Një zhvillim, që rikthen në vëmendje denoncimet e qytetarëve, bërë publike nga emisioni Stop.
Bllofi i prokurores, dosja e mbyllur në Sarandë çohet në gjyq nga Akuza e Tiranës, falsifikim dhe evazion
Prokuroria e Tiranës çon për gjykim Llambi Nika dhe Adelina Nikën, pronarin dhe administratoren e kompanisë “Nika” sh.p.k., të dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe fshehje të të ardhurave. Për të dy është caktuar masa e sigurisë “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Çështja u bë publike rreth një vit më parë në emisionin Stop, pas denoncimit të Pandeli Nikës, i cili pretendonte, se vëllai i tij kishte falsifikuar firmat në dokumentet e ortakërisë dhe i kishte marrë biznesin e ngritur së bashku që prej vitit 1996. Pavarësisht denoncimeve të përsëritura në Sarandë, ku çështja ishte hetuar nga prokurorja Hava Memko, Pandeli Nika pretendonte, se nuk ishte marrë asnjë rezultat për falsifikimin e firmave dhe dyshimet për evazion fiskal. Pas ndërhyrjes dhe publikimit të rastit në Stop, Pandeli Nika iu drejtua Prokurorisë së Tiranës, e cila kreu hetime dhe evidentoi rreth 11.7 milionë lekë detyrime tatimore të papaguara. Kështu, një çështje, që në Sarandë kishte mbetur pa zgjidhje, tashmë ka përfunduar në dyert e gjykatës.
/tvklan.al












Botërori 2026 