Cudi shqiptare, emri i patriotit shqiptar i deformuar në një rrugë turistike

Emërtimi i një rruge me emrin e deformuar të patriotit shqiptar Kostandin Kristoforidhi, i shndërruar në “Kristofor Foridhi” në Ksamil, vijon të shkaktojë debate, por edhe humor. Mësohet se vendimi për emërtimin e kësaj rruge është i vitit 2015, nga ana e Këshillit Bashkiak, por askush nuk e ka korrigjuar këtë tabelë.

Skandali, klinika dentare në shkolla pa autoklava sterilizuese, rrezik për sëmundje

Në muajin prill transmetuam një vëzhgim në plot 13 shkolla të Tiranës, për të parë funksionimin e shërbimit shëndetësor. Edhe pse mjekët dhe stomatologët rezultojnë të planifikuar me grafikë, për të mbuluar institucionet arsimore, në praktikë prania e tyre ishte e rrallë ose inekzistente. Kamera jonë provoi mungesë të plotë të mjekëve ose prezencë sporadike të tyre. Nga dëshmitë e rojeve, mësuesve dhe nxënësve doli se këta specialistë lëvizin nga një shkollë në tjetrën ose mungojnë për periudha të gjata, duke e bërë shërbimin joefektiv.

Pas transmetimit tonë, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor njoftoi se janë pezulluar të gjithë punonjësit e transmetuar në emision dhe, nga verifikimet, do të merren masa të tjera, në varësi të mungesave, edhe për drejtuesit e shërbimit. Raporti i auditimit nxori në pah se, nga grafiku i shpërndarjes, kishte pabarazi në punësimin e mjekëve dhe stomatologëve. 8 punonjës nuk paraqiteshin prej vitesh në punë, ndërkohë që paguheshin. Në Liceun Artistik, mjekja stomatologe Entela Metani kishte kryer procedura stomatologjike pa autoklavë. Po kështu, janë gjetur medikamente të skaduara në shkolla. Ne iu drejtuam Drejtorisë Rajonale të Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor, ku drejtoresha Suida Kuka mohon të ketë dijeni për këtë rast dhe për raportin e hartuar. Ndriçim Mehmeti thotë se ky është skandal, për të cilin duhet të mbajnë përgjegjësi institucionet shëndetësore dhe arsimore.

Konflikt ortakësh, një mega-ndërtim pa leje vijon punën nën hundën e institucioneve

Në mes të muajit prill transmetuam një konflikt mes ortakëve të një shoqërie të krijuar që në vitin 1994, që çoi në zbulimin e një ndërtimi të madh pa leje në zonën e Paskuqanit, në Bashkinë Kamëz. Denoncimi u bë nga Dritan Qoqi, i cili jeton në Angli, ndaj ortakut të tij Alfred Gjata, që zotëron 51% të aksioneve të shoqërisë, ndërsa 49% i përkiste familjes së babait të Dritanit, tashmë i ndjerë. Sipas denoncimit, Gjata kishte ndërmarrë veprime të njëanshme në administrimin e kompanisë, duke zhvilluar mbledhje fiktive dhe duke ndryshuar administratorin, pa dijeninë e bashkëpronarëve, që jetojnë prej vitesh në Angli. Situata u rëndua më tej kur, në pronën e përbashkët prej rreth 1400 m², e rrethuar me mur në Paskuqan, nisi ndërtimi i një kapanoni të madh pa leje ndërtimi dhe pa miratimin e të gjithë ortakëve.

Gazetarët e emisionit “Stop” verifikuan në terren se ndërtimi ishte në zhvillim e sipër, ndërsa përfaqësuesit e shoqërisë, përfshirë administratorin Petrin Dodona dhe vetë Alfred Gjatën, nuk dhanë përgjigje për këtë situatë. Ne iu drejtuam Bashkisë Kamëz dhe IMT-së, ndërsa në terren konfirmuam sërish vijimin e punimeve, për të cilin u njoftua edhe policia dhe OPGJ-ja e Prokurorisë. Në përfundim, u procedua sërish me gjobë dhe u urdhërua arrestimi i Alfred Gjatës, i shpallur në kërkim.

/tvklan.al