Fjongo në kraharor në vend të ilaçit të kancerit, si po e mbyllim Tetorin Rozë

Tetori Rozë po mbyll kalendarin dhe fjongot rozë, të vendosura në kraharor, zëvendësuan ilaçet e trajtimit të kancerit.

Por çfarë ndodh me gratë që luftojnë çdo ditë me kancerin e gjirit dhe presin ilaçet që u nevojiten? Shumica e kanë jetën në dorë të fatit, pasi lufta me këtë sëmundje të rëndë është shndërruar vetëm në propagandë njëmujore.

Pagoi 700 mijë lekë për një bari indian, çfarë ndodhi me emigrantin e huaj pas 4 ditësh

Luigj Doda nga Talja e Lezhës iu drejtua emisionit “Stop”, pasi pagoi 700 mijë lekë të vjetra përmes kompanisë së punësimit “Agility Group Albania”, me qëllim që të siguronte një punonjës nga India për të punuar si bari.

Luigji e priti në aeroportin e Rinasit të riun indian, por punësimi zgjati vetëm katër ditë, pasi punonjësi u largua pa lënë gjurmë. Luigji ngre dyshime se kontrata mund të jetë përdorur si një mënyrë për të mundësuar largimin e të riut drejt vendeve të Europës dhe jo për ta punësuar atë në Shqipëri. Dyshimet e tij lidhen edhe me faktin se, një ditë para largimit, kompania i kishte kërkuar vendndodhjen e banesës.

Sipas Luigjit, marrëveshja parashikonte zëvendësimin e punonjësit nëse ndodhte një situatë e pazakontë, por kjo nuk u realizua. Për më tepër, komunikimi me administratoren e kompanisë, Suzana Aga, ndryshoi pas largimit të punonjësit.

Pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, kompania i ktheu Luigjit shumën e paguar për shërbimin.

Gjimnazi në kushte lufte, mësuesit mbyllin banjot me çelës, për nxënësit asnjë ambient funksional

Denoncimi i një nxënësi na çoi në gjimnazin “Elez Isuf Ndreu” në Kamëz, ku u evidentuan problematika që lidhen me amortizimin e godinës, gjendjen e tualeteve dhe mungesën e kushteve të përshtatshme për ngrohje.

Problemet nuk përfundojnë këtu. Shkolla nuk ka një palestër funksionale për zhvillimin e orëve të edukimit fizik. Ambienti i prezantuar si palestër ishte një klasë, ndërsa nxënësit e zhvillojnë aktivitetin fizik në ambientet e jashtme.

Po ashtu, laboratorët e informatikës, fizikës, kimisë dhe biologjisë ishin të mbyllur. Drejtori i shkollës, Ilir Lashi, i mohon këto problematika.

Ne shkuam në Bashkinë e Kamzës, ku nënkryetari Gentian Biçukaj deklaroi se rikonstruksioni i plotë i shkollës pritet të nisë në vitin 2027. Sipas tij, projekti parashikon edhe ndërtimin e një palestre në katin e tretë, për shkak të mungesës së sipërfaqes së tokës.

/tvklan.al