Këtë të premte, më 11 korrik 2025, emisioni investigativo-satirik “Stop” i jep fund një sezoni tjetër të suksesshëm në Televizionin Klan. Për pesë ditë në javë, nga ora 20:00 deri në 21:00, “Stop” ka sjellë problematika të qytetarëve dhe janë përpjekur maksimalisht për t’u dhënë zgjidhje, duke kombinuar gazetarinë me humorin.

Mbrëmja e fundit të sezonit është ndryshe, një kolazh me tre nga momentet më gazmore të komenteve në studio, që nuk duhet humbur. Në pjesën e parë, dyshja ironizon një ari që fle, duke thënë se edhe ata duan të pushojnë njësoj, ndërsa shpërthimi i të qeshurave vjen kur diskutojnë për ëmbëlsirat e kohës së Enverit. Genti ngacmon Saimirin se sillet si “daja në dasmë” që s’i pëlqen asnjë këngë, ndërsa një histori nga viti 1993 mbi keqtrajtimin e shqiptarëve nga policia greke sjell një ton reflektues. Po ashtu preken edhe temat aktuale si mikpritja e kryeministrit Rama ndaj delegacioneve të huaja.

Pjesa e dytë nis me një hyrje epike! Saimiri dhe Genti futen në studio si pastrues bashkie me fshesat në dorë. Më pas, digjen letra, në një skenë që thumbon përfoljen për djegien e dokumenteve në bashki pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Studioja kthehet në arenë humori kur lexohen filxhanë për fatin e zgjedhjeve të 11 majit, ndërsa Basha shihet duke gatuar makarona dhe Rama bën humor me tortën e tij.

Në pjesën e tretë, spikat një tjetër moment epik: Greta, një nga velinat, përpiqet të fishkëllijë, por as qeni i saj nuk e dëgjon. Situata bëhet edhe më qesharake kur velinat ngatërrojnë presidentin francez Macron me… makaronat, dhe nuk dinë të thonë se çfarë është 5 maji.

Plot të qeshura, batuta dhe momente të paharrueshme, kështu mbyllet ky sezon i “Stop”. Emisioni rikthehet më 1 shtator në Televizionin Klan, me energji të reja dhe me të njëjtin mision, për të thënë atë që të tjerët nuk e thonë dhe për të t’u dhënë zgjidhje qytetarëve./tvklan.al