Në vijim të problematikës së trajtuar nga emisioni Stop në Tv Klan për rastin e qytetarit Ermal Kuburi në Durrës, thagmat me institucionet shtetërore në dëm të tij nuk kanë të sosur.

Përpos faktit që një gjyqtare në Elbasan vendosi që djali të cilin e ka në kujdestari të takohet me të ëmën, ndaj të cilës ka urdhër-mbrojtje që mos t’i afrohet të birit për shkak të dhunës, një akt i paprecedentë ka ndodhur me Shërbimin Social të Bashkisë së Durrësit.

Shërbimi Social i Durrësit e ka nxjerrë babain e fëmijës me probleme mendore, përmes një dokumenti të falsifikuar prej tyre, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë favorizimit të nënës në procesin gjyqësor të divorcit mes tyre.

Historia është e tillë. Në Gusht 2023 një punonjëse e Shërbimit Social shkon në banesën e tij, për të bërë një pyetësor për kushtet e familjes dhe fëmijës. Plotësimin e këtij formulari, Ermali e merr vesh vetëm, pasi njihet me kërkesë-padinë e ish-gruas për të marrë fëmijën.

Pyetësori nuk u plotësua i gjithi në praninë e Ermalit. Pjesa kryesore është plotësuar nëpër zyrat e Shërbimit Social, me qëllimin për ta nxjerrë Ermalin me probleme të shëndetit mendor.

Ermal Kuburi: Zyra Përmbarimore shtetërore Durrës ka thirrur për të qenë prezent Shërbimin Social të Bashkisë Durrës. Shërbimi Social i Bashkisë Durrës ka ardhur dhe më ka takuar personalisht dhe punonjësja e Shërbimit Social ka ardhur te shtëpia për të bërë një vlerësim social-ekonomik, në vitin 2022 dhe në vitin 2023. Në vitin 2022 mora një kopje nga Shërbimi Social. Në vitin 2023 erdhën në shtëpi, bënë vlerësimin social-ekonomik dhe në momentin që firmosëm letrat, i thashë që disa kuadrate janë bosh. Më tha që këto nuk plotësohen. Punonjësja sociale ka ardhur ka plotësuar këtë, i ka shkruar me dorë dhe këto më tha nuk janë të rëndësishme se nuk i plotësojmë asnjëherë. Ndërkohë sot janë të plotësuara. Unë nuk jam njohur kurrë me këto sepse asnjëherë nuk mora kopje nga kjo. Kjo kopje është dorëzuar në zyrat e Përmbarimit. Unë nuk kam qenë fare në dijeni që ka një kopje të Shërbimit Social në Zyrat e Përmbarimit. Ish-bashkëshortja kërkon nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës kujdestarinë e djalit. Në momentin që kam marrë kërkesë-padinë, kam parë këtë letër të plotësuar dhe më ka bërë përshtypje pjesa që diku thotë që nëse babai ose ndonjë nga familja ka probleme mendore, dhe këtu shprehet që ka probleme mendore.

Ermali tregon për gazetaren e Stop se kontaktoi me punonjësen e Shërbimit Social përse e kishte shënuar vetë pikën ku pretendohet se ai është me probleme të shëndetit mendor. Punonjësja i thotë se këtu ka gisht drejtori. Vetë Ermal Kuburi takohet me Drejtorin e Shërbimit social, i cili bën të paditurin për këtë çështje dhe refuzon që t’i kërkojë llogari punonjëses në varësi të tij, duke ngritur dyshime për implikim.

Qytetari – Si mund të ma bëni këtë drejtor? E kupton, se çfarë dëmi më keni…? më ka ardh nga kjo pjesë?

Qytetari – (Lexon tekstin) A ka ndonjë gjë të çuditshme, ose shqetësuese mbi sjelljen e prindërve, që mund të sugjerojnë praninë e problematikave të rëndësishme, si për shembull problem të shëndetit mendor.

Drejtori – Çfarë është kjo? Kjo s’është shkresa ime. E kujt është? Çfarë është?

Qytetari – Ore, kjo është e Elisabetës. Elisabeta thotë, që e ka bërë Arlindi. Tashti mund të sqarohesh me Elisabetën, se kush e ka bërë këtë, sepse kjo po më heq kujdestarinë e fëmijës.

Qytetari – Më shqetëson fakti, që Elisabeta thotë, që atë pikë e ka plotësuar Arlindi, pse pikërisht duhet ta plotësojë Arlindi.

Drejtori – Nga ta vërtetoj unë, që të ka thënë Elisabeta?!

Qytetari – Mund ta telefonosh Elisabetën!

Drejtori – Jo s’mund ta telefonoj dot!

Drejtuesit e emisionit “Stop”, Saimir Kodra dhe Gentjan Zenelaj i bënë thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë ndaj këtij rasti flagrant.

/tvklan.al