Pilku: Nuk lidhet me fermën shqiptare dhe festat lokale dhe as me trashëgiminë kulturore

Qeveria shqiptare ka hartuar një strategji kombëtare të agroturizmit, si një nevojë që vjen për shkak të rritjes së madhe të numrit të turistëve. Sipas ekspertit të bujqësisë Ilir Pilku kjo strategji ka problematika të mëdha dhe nuk ka përfshirë disa elementë kyç që ndihmojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.

“Nuk përfshin programin e ‘100 fshatrave’, programe të ndryshme që ka ministria e Turizmit në lidhje me monumentet e kulturës, historikun. Nuk lidhet pra me aktivitete që janë festat lokale, kryesisht aktivitetet kryesore potenciale. Është shumë e përciptë. Treçereku i materialit është i kopjuar nga strategjia e zhvillimit rural. Pra nuk ka një detajim të plotë në mënyrë që të jenë shtyllat kryesore ku do të mbështetet zhvillimi i agroturizmit në Shqipëri.”

Një problematikë që ngre Pilku është edhe mos përfshirja e planeve urbanistike vendore si dhe trajtimi i mbetjeve në këto zona.

“Nuk ka përfshirë asnjë plan urbanistik të bashkisë sepse ajo është një pjesë integrale, pa një leje ndërtimi e cila lejohet apo nuk lejohet në një zonë të caktuar urbane ose jo urbane. Nuk mundesh të bësh një strategji të mirëfilltë. Ne sapo kemi përfunduar procesin e ‘screening’ me BE dhe janë një sërë detyrash dhe obligimesh të cilat ne duhet të kemi. Nuk diskutohet agroturizmi që duhet t’i plotësojë këto kërkesa, por edhe fermat bujqësore duhet të plotësojnë kërkesat e mbetjeve, trajtimit të mbetjeve, të kushteve, ambientit, ruajtjes së ambientit etj.”

Në strategji cilësohet se, një agroturizëm pret mesatarisht 7600 vizitorë në vit pjesa më e madhe e të cilëve janë të huaj, me një kohëzgjatje 2 ditë dhe shpenzim ditor rreth 40 euro. Një agroturizëm ka mesatarisht 6 dhoma për akomodim dhe 23 tavolina restoranti. Strategjia synon rritjen e numrit të tyre nga 25 në 100 subjekte të certifikuara në vitin 2027 gjë që do të sjell edhe rritje financiare, nga 3.5 milionë euro që është xhiroja vjetore në 14.2 milionë euro në vit.

Klan News