Qeveria ka hartuar një strategji të posçme në luftën kundër korrupsionit, duke synuar goditjen e këtij fenomeni në disa sektorë që cilësohen si problematikë.

“Prevalenca mbetet e lartë në disa sektorë si të drejtat e pronësisë, kujdesit shëndetësor dhe social, arsimit, prokurimeve publike, taksave dhe doganave, të cilat kanë një ndikim të madh në qeverisje, ekonomi dhe shoqëri.”

Janë parashikuar një sërë ndërhyrjesh në legjislacion, si dhe digjitalizimi i shërbimeve. Prokurorimet online shihen edhe si masë për uljen e praktikave korruptive.

Për herë të parë strategjia shtrihet dhe zbatohet dhe ndaj institucioneve të qeverisjes vendore dhe ka në fokus gjithashtu promovimin e integritetit në sektorin privat.

“Sektori privat luan një rol të rëndësishëm në parandalimin e korrupsionit. Përmirësimi i transparencës në prokurimet publike ndihmon në uljen e rreziqeve të korrupsionit në sektorin privat, duke bërë që bizneset të jenë më të vetëdijshme për nevojën për të përmirësuar integritetin dhe për të raportuar abuzimet në vendin e punës.”

Sipas strategjisë, të gjitha këto masa burojnë nga procesi i negociatave me Bashkimin Evropian dhe financat për realizimin e saj do të mbulohen nga buxheti i shtetit me një vlerë totale rreth 1.3 mld lekë.

Tv Klan