Shtetet e reja që do të hyjnë në BE do të përballen me një periudhë 15-vjeçare prove pas anëtarësimit. Nëse shkelin sundimin e ligjit, ato do të ndëshkohen me ndërprerje fondesh dhe kufizim të të drejtave të votës. Ky ishte një ndër propozimet kryesore të politikave të reja të zgjerimit, të prezantuara nga komisionerja për zgjerimin, Marta Kos.

“Do të ndalen fondet e BE-së dhe madje edhe të drejtat e votës për anëtarët e rinj që fillojnë të veprojnë kundër sundimit të ligjit, vlerave evropiane dhe parimit të bashkëpunimit të sinqertë”.

Shtetet e reja nuk do të mund të shfrytëzojnë të drejtën e vetos për çështje dypalëshe kur merren vendime lidhur me zgjerimet e ardhshme të BE-së. Po ashtu, edhe 27 shtetet anëtare do të kenë penalizime nëse keqpërdorin veton.

“Traktatet e ardhshme të pranimit do të përfshijnë një deklaratë se anëtari i ri do të përmbahet nga përdorimi i vetos në procesin e zgjerimit për çështjet dypalëshe. Ne mund të optimizojmë përdorimin e klauzolave ‘paserelë’ (ose kalimtare) dhe të zgjerojmë votimin me shumicë të cilësuar aty ku traktatet e parashikojnë këtë. Është e mundur të reduktohet numri i fushave ku një vend i vetëm mund të vërë veto ndaj vendimeve që të gjithë të tjerët i mbështesin”.

Kos theksoi se Shqipëria dhe tre vende të tjera janë pararojë në procesin e zgjerimit, me përparim të dukshëm në reforma.

“Kemi identifikuar katër shtete që janë pararojë në procesin e zgjerimit: Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina. Këto vende kanë treguar përparim të konsiderueshëm. Në raportet e zgjerimit të 28 tetorit, ne synojmë të prezantojmë afate kohore paraprake”.

Propozimi i Kos përfshin integrimin gradual të vendeve kandidate në politika dhe projekte të BE-së edhe para anëtarësimit të plotë, në sektorë strategjikë si energjia, transporti, inteligjenca artificiale, siguria dhe mbrojtja.

Klan News

/tvklan.al