Përmes Programit Kombëtar të Strehimit Social, qeveria shqiptare kërkon të ofrojë zgjidhje për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme që nuk mund të përballojnë blerjen e një shtëpie me çmimet e tregut.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në rrjetet sociale ndau pamje nga transformimi që ka sjellë ky program, në rehabilitimin e shtëpive në disa bashki të vendit.

Gonxhja ndër të tjera tha se si asnjëherë më parë, 1253 familje në 35 bashki përfitojnë nga Programi Kombëtar i Strehimit Social. Nga kjo mbështetje përfitojnë pensionistët e vetmuar, familjet me ndihmë ekonomike, familjet me një prind, familjet pa të ardhura.

Ndërkohë sipas tij, me një vlerë financimi prej rreth 1 miliard lekë nga buxheti i shtetit, ky projekt do të adresojë nevojat për përmirësimin e kushteve të banimit për 1253 familje në nevojë në të gjithë vendin.

“Si asnjëherë më parë, 1,253 familje në 35 bashki përfitojnë nga Programi Kombëtar i Strehimit Social! Me një vlerë financimi prej rreth 1 miliardë lekë nga buxheti i shtetit, ky projekt do të adresojë nevojat për përmirësimin e kushteve të banimit për 1,253 familje në nevojë në të gjithë vendin. Zbatimi nis në korrik-gusht 2025 dhe zgjat për dy vite. Një hap konkret drejt kushteve më të denja jetese për familjet në nevojë, përmirësim banesash, infrastrukturë rurale dhe akses më i mirë në shërbime jetike”, shkruan ministri Gonxhja.

/tvklan.al