Prej orës 14:00 të kësaj të marte, 13 tetor, studentët dolën në rrugë për të protestuar përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa revolta e tyre u zhvendos më pas në disa nyje të kryeqytetit.
Pas thirrjeve “Pa rini nuk ka Shqipëri”, apo “Poshtë qeveria”, situata përshkallëzoi në tensione me policinë.
Fillimisht studentët hodhën gurë dhe sende të forta duke hoqur kangjellat e rrugës, madje disa prej tyre hynë me forcë në ambientet e brendshme të Ministrisë.
Kundërpërgjigjja e efektivëve ishte me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, teksa nuk munguan përplasjet fizike mes tyre.
Disa prej protestuesve janë shoqëruar në komisariat. Ndërkohë, ekspertët e kriminalistikës kanë mbledhur prova para godinës së Ministrisë së Arsimit pasi disa protestues sulmuan ndërtesën me mjete të forta, vezë dhe me pllakat e trotuarit.
Studentët janë mbledhur pas një thirrjeje në rrjetet sociale, ku kërkojnë zbatimin e gjashtë kërkesave të tyre që nga arsimi cilësor e deri te kushtet më të mira në konvikte apo universitete.
Përtej kësaj, studentët kërkojnë dorëheqjen e ministres së Arsimit Mirela Kumbaro, si dhe të kreut të qeverisë, Edi Rama.
REAGIMET
“Policia e krimit! STOP dhunës ndaj studentëve!”, është ky reagimi në rrjetet sociale i kryedemokratit Sali Berisha. Për protestën, ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili në fakt ka një mesazh të drejtpërdrejtë për kreun e PD-së.
“Sali mashtruesi nxirre të plotë videon! Shikojeni kur ky “studenti” godet me pllakën e betonit punonjësit e Policisë së Shtetit”, shkruan ai, krahas pamjeve.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka dënuar dhunën dhe sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit.
“E trishtë të shohësh se si kultura e protestës degradon në një dhunë të orkestruar dhe, me sa duket, të “provokuar” rëndë nga pllakat e trotuareve. Dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje. Zhurma e gurëve, sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe shkatërrimi i pakuptimtë i pronës publike, nuk janë gjuha me të cilën i ka hije rinisë të shprehet, por zakoni i vjetër i atyre që i përdorin të rinjtë për të mbuluar paaftësinë e tyre politike”, shkruan ajo.
23 të shoqëruar, Policia: U lënduan 6 efektivë dhe një gazetare
Policia e Shtetit bën me dije se gjatë protestës pranë Ministrisë së Arsimit, disa pjesëmarrës kanë kryer veprime të dhunshme, duke dëmtuar godinën e institucionit dhe duke sulmuar efektivët me molotovë, kapsolla, gurë dhe sende të forta.
Në komisariat, janë shoqëruar 23 persona.
Si pasojë e sulmeve, thonë blutë, mbetën të lënduar 6 efektivë policie dhe një gazetare, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Kanë nisur hetimet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të personave të përfshirë në veprimet e paligjshme.
Përdorimi i forcës gjatë protestës, Avokati i Popullit nis hetimin kryesisht
Avokati i Popullit ka nisur një hetim administrativ për veprimet e Policisë gjatë protestës së sotme, për të vlerësuar nëse ajo ka qenë e domosdoshme dhe proporcionale.
Grupet e monitorimit të këtij institucioni po verifikojnë në Bllokun e Sigurisë dhe në komisariate respektimin e të drejtave të personave të shoqëruar, përfshirë të drejtën për avokat, njoftimin e familjes dhe ekzaminimin mjekësor.
Avokati i Popullit u bën thirrje qytetarëve që mendojnë se u janë shkelur të drejtat, të paraqesin ankesa individuale.
“Avokati i Popullit ka nisur, sipas detyrës, një hetim administrativ mbi përdorimin e forcës nga Policia gjatë protestës së sotme. Vlerësimi bëhet sipas neneve 2, 3 dhe 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për të përcaktuar nëse përdorimi i forcës ka qenë i domosdoshëm dhe proporcional.
Grupet e monitorimit të institucionit janë në Bllokun e Sigurisë dhe pranë komisariateve ku mbahen personat e shoqëruar. Po verifikohet nëse u garantohen e drejta për avokat, njoftimi i familjes dhe ekzaminimi mjekësor. Përtej hetimit kryesisht, Avokati i Popullit fton çdo qytetar që beson se të drejtat e tij janë shkelur, t’i drejtohet institucionit me ankesë individuale.”, thuhet në reagim.
Gazi dhe përplasjet gjatë protestës, Ministria e Shëndetësisë: Disa persona morën ndihmë mjekësore
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njoftoi se strukturat shëndetësore ishin në gatishmëri të plotë për t’u ofruar ndihmë personave të dëmtuar gjatë protestës së sotme.
Sipas njoftimit, tre protestues u paraqitën në QSUT pas ekspozimit ndaj gazit, ndërsa dy përfaqësuese të medias dhe gjashtë efektivë policie morën ndihmë mjekësore dhe kanë lënë ambientet e spitalit pas ekzaminimeve, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, nga dy kalimtarët që kërkuan ndihmë mjekësore, njëri është shtruar në spital, ndërsa tjetri vijon të mbahet në monitorim nga stafi mjekësor.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën me dije se strukturat shëndetësore kanë qenë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje për ndihmë mjekësore gjatë protestës dhe pas përshkallëzimit të saj. Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit. Pas konsultës me mjekët, dy prej tyre janë larguar nga spitali, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet nga stafi i urgjencës. Në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor edhe dy përfaqësuese të medias, të cilat, pas ekzaminimeve dhe konsultave përkatëse, janë larguar me këshillën e mjekut, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, gjashtë efektivë të Policisë, të raportuar me dëmtime nga mjete të forta, kryesisht në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme, kanë marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali jashtë rrezikut për jetën, me këshillën e mjekut. Për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy kalimtarë. Njëri prej tyre është shtruar në spital, ku do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e stafit mjekësor, ndërsa tjetri po mbahet në monitorim nga mjekët. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe strukturat shëndetësore mbeten në gatishmëri për të garantuar ofrimin në kohë të kujdesit mjekësor për çdo person që paraqet nevojë“, thekson Ministria e Shëndetësisë.
Protestuesit dhunojnë Nunciaturën Apostolike, ambasadën e Selisë së Shenjtë në Shqipëri
Protestuesit kanë dhunuar edhe Nunciaturën Apostolike, e cila shërben si përfaqësia diplomatike zyrtare e Selisë së Shenjtë, Vatikanit, në Shqipëri.
Ky episod u regjistrua gjatë tensioneve dhe përplasjeve në protestën e sotme, e cila u karakterizua me lëndime dhe shoqërime.
Gazi dhe uji zhvendos protestuesit në sheshin “Skënderbej”, tentohet hyrja në Bashkinë e Tiranës
Për shkak të ujit dhe gazit lotsjellës të hedhur nga Policia, protestuesit janë zhvendosur nga “Rruga e Durrësit” në sheshin “Skënderbej”.
Ata kanë hedhur flakadanë drejt efektivëve të Policisë, të cilët vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri për të frenuar çdo agresivitet të turmës.
Më herët, disa prej protestuesve tentuan të hyjnë në ambientet e brendshme të Bashkisë së Tiranës, ndërsa hodhën edhe flakadanë. Megjithatë në këto momente tensioni, Policia ka ndërhyrë menjëherë duke zmbrapsur studentët.
Ministri Demo: Dhuna nuk justifikohet në emër të së drejtës për protestë
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka dënuar dhunën gjatë protestës së zhvilluar para Ministrisë së Arsimit, duke shprehur shqetësimin për të gjithë personat e lënduar, përfshirë protestues, gazetarë dhe punonjës policie.
Ai theksoi se, ndërsa sulmet ndaj efektivëve dhe dëmtimi i pronës nuk mund të justifikohen, çdo veprim i Policisë duhet të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional, ndërsa çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës duhet të shqyrtohet paanshmërisht.
Ministri u bëri thirrje strukturave përgjegjëse të ulin tensionet, të parandalojnë përplasjet e tjera dhe të garantojnë njëkohësisht sigurinë publike dhe të drejtën e qytetarëve për protestë paqësore.
“Sot, në Luksemburg, Shqipëria mori një tjetër vlerësim për përparimin e saj drejt Bashkimit Europian, duke mbyllur përkohësisht një tjetër kapitull të negociatave. Ky përparim na ngarkon me përgjegjësi për të zbatuar standardet europiane edhe në mënyrën se si institucionet tona përballojnë kundërshtitë e cilitdo dhe mbrojnë të drejtat e qytetarëve. Ngjarjet e sotme përpara Ministrisë së Arsimit janë shqetësuese. Shpreh shqetësimin tim për çdo person të lënduar, qoftë student, qytetar, gazetar apo punonjës policie, dhe u uroj të gjithëve shërim të shpejtë. Institucionet përgjegjëse do të publikojnë një bilanc të plotë e të verifikuar të të lënduarve.
Dënoj pa asnjë rezervë sulmet ndaj punonjësve të Policisë, dëmtimin e pronës publike dhe private. Protesta paqësore është një e drejtë demokratike që shteti ynë e garanton plotësisht. Dhuna ndaj njerëzve dhe institucioneve nuk mund të justifikohet në emër të kësaj të drejte themelore.
Policia e Shtetit ka detyrimin të mbrojë qytetarët, institucionet dhe sigurinë publike. Efektivët meritojnë mbështetje për ushtrimin e detyrës brenda ligjit dhe e kanë detyrë të mbrohen nga çdo sulm ndaj tyre. Njëkohësisht, çdo veprim i Policisë duhet të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional. Organet kompetente do të shqyrtojnë paanshmërisht çdo pretendim për përdorim të paligjshëm apo joproporcional të forcës, pa i paraprirë asnjë përfundimi hetimor. Çdo pamje dhe dëshmi që ndihmon në zbardhjen e çdo detaji të mundshëm duhet të ruhet dhe të verifikohet.
Ligji duhet të zbatohet njësoj për këdo. Përgjegjësitë duhet të përcaktohen individualisht, mbi bazën e provave. Pjesëmarrja në të njëjtën protestë nuk e bën askënd përgjegjës për veprimet e një personi tjetër krah tij. U kam kërkuar strukturave përgjegjëse të marrin masat për uljen e tensioneve dhe parandalimin e përplasjeve të tjera, duke garantuar sigurinë publike dhe të drejtën për protestë paqësore. Gazetarët duhet të mund ta kryejnë punën e tyre në siguri. Standardi europian kërkon një shtet që garanton rendin, respekton liritë dhe jep llogari për veprimet e veta. Kjo është përgjegjësia që duhet të përmbushim edhe pas ngjarjeve të sotme“
Pretendimet për dy studentë në intubim, MIA e përgënjeshtron: Lajm i pavërtetë, mos bini pre e dezinformimit
Agjencia për Media dhe Informim (MIA) ka përgënjeshtruar informacionet që po qarkullojnë në rrjetet sociale, ku pretendohet se dy studentë të lënduar gjatë protestës ndodhen në intubim.
Sipas saj, këto raportime dhe informacione janë të pavërteta.
MIA u bën thirrje qytetarëve të mos besojnë dhe të mos shpërndajnë informacione të paverifikuara, të cilat mund të shkaktojnë panik dhe shqetësim te publiku dhe familjarët.
Ajo thekson se informacionet zyrtare për gjendjen shëndetësore të të lënduarve, protestues apo punonjës policie, duhet të merren nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
” Informacioni që po qarkullon në disa faqe në Instagram dhe platforma të tjera, sipas të cilit dy studentë ndodhen në intubim, është i pavërtetë!
Mos bini pre e dezinformimit! U bëjmë thirrje qytetarëve të mos besojnë dhe të mos shpërndajnë informacione të pavërtetuara, të cilat krijojnë panik dhe shqetësim të panevojshëm te publiku dhe familjarët.
Agjencia për Media dhe Informim u bën thirrje qytetarëve të informohen vetëm përmes burimeve zyrtare dhe të besueshme, duke shmangur burimet që përhapin informacione të rreme apo çorientuese.
Informacioni zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës, qofshin protestues apo punonjës të Policisë së Shtetit, përcillet nga institucioni kompetent, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale.”, thuhet në reagim.
Lëndimi i gazetarëve gjatë protestës, drejtuesja e AMA-s: Të garantohet siguria e mediave në terren
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi, ka shprehur shqetësimin për lëndimin e gazetarëve dhe vështirësitë me të cilat janë përballur ekipet e medias gjatë raportimit nga protesta e sotme në Tiranë.
Pas interesimit pranë Ministrisë së Shëndetësisë, ajo bëri me dije se gazetarët e lënduar kanë dalë nga ambientet spitalore, ndërsa u ka uruar shërim të shpejtë.
Krasniqi u bëri thirrje protestuesve të tregojnë kujdes ndaj ekipeve të medias, ndërsa kërkoi nga Policia e Shtetit vëmendje të veçantë për garantimin e sigurisë së gazetarëve dhe operatorëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.
“Me shqetësim kam ndjekur raportimet për lëndimin e gazetareve dhe gazetarëve dhe vështirësitë me të cilat janë përballur ekipet e medias gjatë raportimit nga protesta e sotme në Tiranë. Pas interesimit pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, u informova se kolegët e lënduar nuk ndodhen më në ambiente spitalore. U uroj shërim të shpejtë dhe shpreh solidaritetin tim me të gjithë kolegët që po raportojnë nga terreni.
Në cilësinë e Kryetares së Autoritetit të Mediave Audiovizive, dëshiroj të nënvizoj rëndësinë e krijimit të kushteve të sigurta për gazetaret, gazetarët dhe operatorët, si dhe të garantimit të ushtrimit të lirë të detyrës së tyre, veçanërisht në situata tensioni.
U bëj thirrje të gjithëve të tregojnë kujdes dhe përmbajtje ndaj ekipeve të medias, ndërsa inkurajoj Policinë e Shtetit t’i kushtojë vëmendje të veçantë sigurisë së tyre gjatë raportimit. Gazetaret dhe gazetarët në terren kryejnë një shërbim të rëndësishëm në interes të publikut. Puna e tyre meriton respekt, mbështetje dhe mbrojtje”, theksoi kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi.
Protestuesit i vënë zjarrin koshave të mbeturinave, Policia tenton t’i shpërndajë me ujë me presion
Protestuesit iu vendosën flakën tabelave të reklamave në zonën e “9-katësheve” në kryeqytet.
Po ashtu ata u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave, ndërsa Policia tenton t’i shpërndajë me ujë me presion.
Ministrja e Shëndetësisë: Disa persona vijojnë të marrin ende trajtim në spital
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, bëri me dije se në Spitalin e Traumës po trajtohen një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë, të gjithë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, gjashtë efektivë të forcave speciale, dy përfaqësues të medias dhe katër kalimtarë janë larguar nga spitali pas marrjes së ndihmës mjekësore, ndërsa në QSUT kanë marrë trajtim dhe janë larguar një diplomat i huaj, një përfaqësues i medias dhe gjashtë protestues.
Ministrja thekson se situata po monitorohet në vijimësi dhe kujdesi mjekësor u ofrohet të gjithë të lënduarve pa dallim, sipas nevojave shëndetësore.
” Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon mbi situatën shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë, bazuar në informacionin e raportuar nga strukturat spitalore.
Në Spitalin Universitar të Traumës, aktualisht po trajtohen një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Gjashtë efektivë të forcave speciale, dy përfaqësues të medias dhe katër kalimtarë janë larguar pasi kanë marrë ndihmën mjekësore.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), kanë marrë trajtim dhe janë larguar , një diplomat i huaj, një përfaqësues i medias dhe 6 protestues. Ministria thekson se kujdesi shëndetësor për çdo person të lënduar ofrohet pa dallim, në përputhje me gjendjen klinike dhe nevojat mjekësore të secilit.
Situata po ndiqet në vijimësi, përmes komunikimit të vazhdueshëm me institucionet shëndetësore. Informacioni mbi numrin e personave të trajtuar dhe gjendjen e tyre shëndetësore përditësohet në bazë të të dhënave të verifikuara nga strukturat përkatëse. Ministria falënderon ekipet e urgjencës, mjekët, infermierët dhe të gjithë profesionistët shëndetësorë për angazhimin dhe kujdesin e ofruar.
19-vjeçari u tërhoq zvarrë me këmbë të thyer, policia: Nis hetimi
Një video ku shfaqet një 19-vjeçar me këmbë të dëmtuar, teksa tërhiqet zvarrë nga punonjësit e Policisë pranë Parlamentit, ka sjellë reagimin e Policisë së Shtetit.
Në një njoftim zyrtar, policia bën me dije se ka nisur verifikimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën sesi është trajtuar i riu. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër efektivëve dhe shefit të Rendit në Komisariatin Nr. 1.
Ndaj punonjësve të pezulluar ka nisur gjithashtu një hetim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale. Për rastin kanë nisur hetimet edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë. Policia e Shtetit thekson se çdo punonjës që ka shkelur procedurat ose ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.
Njoftimi i policisë
Reagim i Policisë së Shtetit
Në lidhje me videon e publikuar në media, ku shfaqet 19-vjeçari L. B., i dëmtuar në këmbë, teksa shoqërohet nga punonjësit e Policisë pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital për ndihmë mjekësore, Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën e trajtimit të tij nga punonjësit e Policisë.
Pavarësisht verifikimeve të nisura, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre.
Gjithashtu, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, është ngritur një grup i posaçëm, nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar dhe analizuar të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës. Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.
Policia e Shtetit thekson se aktet e dhunshme të shfaqura prej orësh në kryeqytet, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës, nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë.
Policia e Shtetit u bën thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune e shkatërrimi t’i ndalin menjëherë, pasi do të përballen me forcën e ligjit.
Gjithashtu, Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm, për të garantuar sigurinë e tyre.
19-vjeçari dëmtoi këmbën, ministrja Spahiu vizitë tek Trauma
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, zhvilloi një vizitë në Spitalin Universitar të Traumës, ku u njoh nga afër me situatën dhe shërbimin mjekësor të ofruar për personat e lënduar, të paraqitur pas protestës.

Gjatë vizitës, ministrja takoi ekipin mjekësor në gatishmëri, si dhe pacientët që aktualisht po marrin kujdes shëndetësor pranë këtij spitali.
Ekipi i Avokatit të Popullit monitoron situatën e të lënduarve tek Trauma
Ekipi i Avokatit të Popullit prej disa orësh ndodhet në Spitalin Universitar të Traumës dhe monitoron nga afër gjendjen e të lënduarve.
Në këtë spital janë trajtuar deri tashmë 24 persona, mes të cilëve janë protestues, punonjës policie, gazetarë dhe kalimtarë të rastit.
Deri në orën 23:00 në këtë spital gjenden ende në trajtim mjekësor 6 persona: 2 qëndrojnë të shtruar në pavijon dhe 4 në urgjencë. Një prej tyre i është nënshtruar trajtimit për dëmtim të gjymtyrës. Të gjithë personat e shtruar raportohen në gjendje të stabilizuar shëndetësore, jashtë rrezikut për jetën.
Avokati i Popullit po heton rrethanat në të cilat kanë ndodhur secili prej dëmtimeve trupore dhe po dokumenton çdo rast të shkeljes së të drejtave të njeriut.












Botërori 2026 