Sipas një studimi të kryer së fundmi, konsumimi i pijeve të ëmbla rrit me 20 përqind rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare tek femrat.

Studimi i kryer në Kaliforni është botuar në Gazetën e Shoqatës Amerikane të Zemrës. Ai bën të ditur se pijet me sheqer çojnë në bllokimin e arterieve të zemrës.

Studiuesit shprehen se sheqeri mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare në disa mënyra. Ai rrit nivelin e glukozës dhe përqendrimin e insulinës në gjak, të cilat mund të çojnë në mbipeshë, një faktor kryesor rreziku për sëmundjet kardiovaskulare.

Autori kryesor i studimit, Cheryl Anderson shprehet: Sheqeri i tepërt në gjak shkakton një sërë problemesh që lidhen më  stresin, inflamacionin, kolesterolin jo të shëndetshëm dhe diabetin e tip 2. Të gjitha këto çojnë në zhvillimin e aterosklerozës, ngushtimin e ngadaltë të arterieve që janë në themel të shumicës së sëmundjeve kardiovaskulare.

Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon kufizimin e sheqerit të shtuar, jo më shumë se 100 kalori në ditë (rreth 6 lugë çaji) për shumicën e femrave, dhe jo më shumë se 150 kalori (9 lugë çaji) për shumicën e meshkujve./tvklan.al