Suedia do të dërgojë sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot dhe rreth 100 trupa në Poloni për të mbrojtur qendrën logjistike Rzeszów-Jasionka, një pikë kryesore për transportin e ndihmave drejt Ukrainës. Misioni suedez do të nisë më 1 dhjetor dhe do të zgjasë shtatë muaj.

Vendimi u njoftua nga kryeministri suedez Ulf Kristersson. Suedia do të marrë përsipër detyrat që deri tani kryheshin nga Holanda. Trupat suedeze do të jenë përgjegjëse për mbrojtjen e aeroportit dhe zonës përreth nga kërcënimet ajrore, përfshirë dronët dhe raketat.

Komandantja e Regjimentit Suedez të Mbrojtjes Ajrore, kolonelja Sofia Westermark, e ka cilësuar operacionin si misionin më kompleks që Suedia ka ndërmarrë që prej anëtarësimit në NATO. Sipas saj, zona është e ekspozuar ndaj kërcënimeve që mund të vijnë si nga ajri, ashtu edhe nga toka.

Rzeszów-Jasionka ka një rëndësi të veçantë për mbështetjen e Ukrainës. Përmes këtij aeroporti kalojnë sasi të mëdha të pajisjeve ushtarake dhe ndihmave të tjera që dërgohen drejt Ukrainës. Sipas autoriteteve suedeze, rreth 18 mijë tonë pajisje kalojnë çdo muaj përmes këtij hub-i, ndërsa më shumë se 80 për qind e ndihmave ushtarake të dhuruara për Ukrainën kalojnë përmes territorit polak.

Ministri polak i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministri Władysław Kosiniak-Kamysz e ka mirëpritur vendimin e Suedisë për të dërguar sistemet Patriot në Poloni. Ai ka falënderuar gjithashtu Holandën për mbështetjen që i ka dhënë deri tani Polonisë dhe krahut lindor të NATO-s.

Dërgimi i sistemeve Patriot është pjesë e angazhimit në rritje të Suedisë për sigurinë e Polonisë dhe të krahut lindor të NATO-s. Që nga fillimi i tetorit, avionët luftarakë suedezë Gripen marrin pjesë në një mision të NATO-s për mbrojtjen e hapësirës ajrore polake. Ata ndihmojnë gjithashtu në mbrojtjen e rrugëve logjistike përmes të cilave transportohet ndihma për Ukrainën.

Suedia, e cila u bë pjesë e NATO-s në vitin 2024, thotë se rritja e pranisë së saj ushtarake në rajon lidhet me kërcënimet në rritje ndaj sigurisë së Evropës dhe shkeljet më të shpeshta të hapësirës ajrore të vendeve anëtare të NATO-s.

Aktualisht, mbrojtja e Rzeszów-Jasionka përfshin edhe sisteme holandeze Patriot, sistemin polak të mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër Mała Narew dhe sisteme iLauncher të pajisura me raketa CAMM. Me misionin suedez, vendet anëtare të NATO-s do të vazhdojnë bashkëpunimin për mbrojtjen e kësaj infrastrukture strategjike, e cila luan një rol të rëndësishëm në dërgimin e ndihmave drejt Ukrainës.

/tvklan.al