Kompania ajrore më e madhe australiane, Qantas, është bërë shënjestër e një sulmi kibernetik, që ka komprometuar të dhënat personale të rreth 6 milionë klientëve.
Autoritetet janë duke hetuar nëse pas këtij sulmi qëndron grupi kriminal “Scattered Spider”, i njëjti që këtë vit ka goditur edhe zinxhirin britanik Marks & Spencer.
Sulmi ndodhi të hënën dhe preku një platformë shërbimi ndaj klientit të operuar nga një palë e tretë, përmes një prej qendrave telefonike të kompanisë. Qantas tha se hakerat kanë arritur të marrin emra, adresa emaili, numra telefoni, data lindjeje dhe të dhëna mbi programin e pikëve “frequent flyer”. Të dhënat financiare, si numrat e kartave të kreditit, nuk janë prekur pasi ndodhen në serverë të ndryshëm.
Sipas kompanisë, sulmi ishte një rast i ashtuquajtur “vishing”, një formë mashtrimi përmes telefonit, ku punonjësi i qendrës telefonike u mashtrua dhe lejoi hyrjen e të tretëve në sistem.
Hetimi vjen disa ditë pas një paralajmërimi të FBI-së, e cila ngriti shqetësimin se grupi “Scattered Spider” po synon industrinë globale të aviacionit. Më herët janë raportuar sulme ndaj Hawaiian Airlines dhe WestJet të Kanadasë.
Pas publikimit të lajmit, aksionet e Qantas ranë me 2.5%. Drejtoresha ekzekutive, Vanessa Hudson, kërkoi ndjesë publike: “Klientët tanë na besojnë të dhënat e tyre dhe ne e marrim seriozisht këtë përgjegjësi.”
Ky incident përbën një tjetër goditje për kompaninë, e cila po përpiqet të rikthejë imazhin pas kritikave për vonesa fluturimesh, anulime të fshehura dhe një gjobë nga rregullatori i konsumatorëve për shitje biletash në fluturime të anuluara.
Qantas tha se ka izoluar sistemet e prekura dhe do të njoftojë klientët që janë prekur nga shkelja e sigurisë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
