06 tetor 2026- Kompania japoneze e shërbimeve të internetit GMO Research & AI Inc. ka njoftuar se të dhënat e deri në 948.500 anëtarëve mund të jenë vjedhur pas një qasjeje të paautorizuar në serverët e saj.

Sipas Kyodo News, të dhënat e prekura përfshijnë emrat, adresat elektronike dhe të banimit, numrat e telefonit, si dhe fjalëkalimet e enkriptuara.

Kompania bëri të ditur gjithashtu se pikë shpërblimi me vlerë rreth 2,9 milionë jen, ose afërsisht 18 mijë dollarë, u përdorën në mënyrë të paligjshme për të blerë kode dhuratash të Amazon. Pikët fitohen nga anëtarët përmes plotësimit të anketave në platformën infoQ të kompanisë.

Sulmi nisi të premten, kur hakerët shfrytëzuan një dobësi në softuerin e përdorur nga faqja. GMO zbuloi shkeljen të shtunën, bllokoi menjëherë qasjen e paautorizuar dhe pezulloi shërbimin.

Kompania ka deklaruar se do të kompensojë plotësisht përdoruesit e prekur, ndërsa një kompani e specializuar në sigurinë kibernetike po ndihmon në hetimin e incidentit.

Ndërkohë, një tjetër kompani japoneze, Mr Max Holdings Ltd., operator i një zinxhiri dyqanesh me zbritje, njoftoi se të dhënat personale të deri në 1,7 milion klientëve mund të jenë komprometuar. Shkelja lidhet me një server të përdorur për aplikacionin dhe dyqanin online të kompanisë.

Të dhënat që mund të jenë ekspozuar përfshijnë emrat, adresat elektronike dhe numrat e telefonit. Sipas Kyodo News, të dhënat e kartave të kreditit, adresat e banimit dhe datat e lindjes nuk janë prekur.

Mr Max e zbuloi incidentin të shtunën dhe pezulloi menjëherë shërbimet e prekura. Kompania tha se deri tani nuk ka gjetur prova për keqpërdorimin e të dhënave, por u kërkoi klientëve të tregojnë kujdes ndaj mesazheve të dyshimta dhe tentativave për phishing.

Incidentet janë pjesë e një serie shkeljesh të rëndësishme të të dhënave të regjistruara së fundmi në Japoni.

Monogatari Corp., kompania që operon zinxhirin e restoranteve të mishit të pjekur në skarë Yakiniku King, njoftoi të hënën se më shumë se 10 milionë të dhëna të klientëve u nxorën pas një qasjeje të paautorizuar në aplikacionin e saj për rezervime dhe programin e shpërblimeve.

Në një tjetër incident, Daiwa Securities Group bëri të ditur se të dhënat e rreth 110 mijë klientëve mund të jenë komprometuar pas një qasjeje të paautorizuar në një server të administruar nga një kontraktor.

Seria e incidenteve ka rritur shqetësimet për sigurinë e të dhënave personale dhe mbrojtjen e sistemeve dixhitale në Japoni.

/tvklan.al