Të paktën 33 persona, mes tyre gra dhe fëmijë, raportohet se janë vrarë nga një sulm ajror i Arabisë Saudite në Jemen.
Lajmi është bërë i ditur nga mediat e lidhura me rebelët Houthi, të cilët pretendojnë se goditja ndodhi të shtunën në qytetin al-Shariyah, në lindje të kryeqytetit Sana. Deri më tani, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, që mbështet qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit, nuk ka reaguar për sulmin.
Pamjet e transmetuara nga televizioni Al Masirah tregojnë ekipet e shpëtimit duke nxjerrë trupa nga rrënojat e disa ndërtesave të shkatërruara. Mes viktimave shihen edhe fëmijë të vegjël, ndërsa disa të plagosur janë transportuar me barela drejt spitaleve. Agjencia e lajmeve Saba, e kontrolluar gjithashtu nga Houthit, raportoi se nga sulmi janë plagosur edhe 39 persona.
Përplasjet në Jemen, të cilat kishin mbetur kryesisht të pezulluara për disa vite, janë përshkallëzuar sërish në kuadër të luftës me Iranin. Tensionet u rritën pasi Arabia Saudite goditi aeroportin e Sanaa-s për të penguar uljen e një avioni iranian. Në përgjigje, rebelët Houthi sulmuan aeroportin e Abhas në Arabinë Saudite dhe më pas shënjestruan anijet saudite që përdorin Detin e Kuq, si rrugë alternative për eksportin e naftës.
Luftimet mes rebelëve Houthi dhe forcave që mbështesin qeverinë saudite kanë rifilluar me intensitet të lartë. Vetëm të premten, një sulm në një treg në provincën Taiz, një nga zonat më të prekura nga përplasjet e fundit, raportohet se shkaktoi 30 viktima.
Palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për përgjegjësinë e sulmit. Sipas Kombeve të Bashkuara, që prej rifillimit të luftimeve janë vrarë më shumë se 1,600 persona dhe mbi 300 mijë të tjerë janë zhvendosur. Pak orë para goditjes në al-Shariyah, koalicioni saudit njoftoi gjithashtu se kishte interceptuar një raketë që drejtohej drejt Riadit.
/tvklan.al












Botërori 2026 
