Sum terrorist në Somali. Të paktën 32 persona kanë humbur jetën dhe 63 të tjerë janë plagosur gjatë  një shpërthimi në një plazh të njohur në kryeqytetin Somalez Mogadishu. Sulmi ndodhi në vendpushimin e njohur Lido ku somalezët shpesh kalojnë fundjavën.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë disa trupa të shpërndarë në plazh dhe njerëz të plagosur që përpiqen të largohen, teksa dëgjohen të shtëna armësh dhe shpërthime të njëpasnjëshme.

Sipas informacioneve nga policia, një kamikaz ka shpërthyer eksplozivin me të cilin ka qenë i lidhur ndërsa 5 persona të tjerë të armatosur kanë qëlluar me armë. Në shënjestër të terroristëve ishte edhe një hotel në plazh.

Mediat thonë se sulmi është kryer nga grupi xhihadist al-Shabaab, i cili ende kontrollon pjesë të Somalisë dhe ka nisur sulme edhe në kryeqytetin Mogadishu.

Në korrik, një bombë shpërtheu jashtë një restoranti ku tifozët e futbollit po shikonin finalen e Kampionatit Evropian, duke vrarë 11 dhe duke plagosur disa të tjerë.

Klan News