Sulmet ajrore izraelite në jug të Libanit kanë shkaktuar të paktën 12 viktima, mes tyre tre pjesëtarë të ushtrisë libaneze, përfshirë një gjeneral brigade të rangut të lartë.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi Libani dhe Izraeli kishin rënë dakord për një armëpushim të kushtëzuar gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas ushtrisë libaneze, gjeneral brigade Uassam Sabra, kapiteni Elie Khoury dhe ushtari Hussein Ghozal humbën jetën pasi një automjet ushtarak u godit në rrugën Khardali-Nabatieh. Ushtria izraelite deklaroi se zona konsiderohej “zonë aktive luftarake” dhe se çdo lëvizje në atë territor duhej të koordinohej me forcat izraelite. Ajo shtoi se incidenti mbetet nën hetim.
Ushtria e Libanit e cilësoi sulmin si pjesë të agresionit të vazhdueshëm izraelit që synon të pengojë përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje politike. Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, e dënoi sulmin duke e quajtur një shkelje flagrante të sovranitetit libanez dhe të ligjit ndërkombëtar. Edhe kryeministri Nauaf Salam e përshkroi ngjarjen si një krim të rëndë kundër Libanit dhe popullit të tij.
Lëvizja Hezbollah reagoi ashpër, duke e quajtur sulmin një “krim të urryer” dhe duke akuzuar qeverinë libaneze se po e ekspozon vendin ndaj më shumë gjakderdhjeje përmes pranimit të kërkesave të Izraelit dhe SHBA-ve. Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, deklaroi se sulmi tregon se Izraeli nuk dëshiron siguri dhe stabilitet për Libanin.
Sulmi u dënua gjithashtu nga disa vende arabe. Arabia Saudite, Jordania dhe Katari kritikuan ashpër veprimet izraelite, duke i cilësuar ato si shkelje të sovranitetit të Libanit dhe të së drejtës ndërkombëtare. Katari kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar të ushtrojë presion mbi Izraelin për të ndalur sulmet dhe për të respektuar Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Forca Paqeruajtëse e Kombeve të Bashkuara në Libanin jugor (UNIFIL) deklaroi se sulme të tilla përbëjnë shkelje të rënda të sovranitetit dhe integritetit territorial të Libanit. Rezoluta 1701, e miratuar pas luftës së vitit 2006 midis Izraelit dhe Hezbollahut, shërben gjithashtu si bazë për armëpushimin e fundit ndërmjet palëve.
Ndërkohë, sulme të tjera izraelite gjatë së shtunës shkaktuan viktima të tjera në disa zona të Libanit jugor. Gjashtë persona u vranë dhe katër të tjerë u plagosën në fshatin Saksakiyah, ndërsa sulme të veçanta me dronë dhe avionë goditën Deir al-Zahrani, Zifta dhe Habboush, duke lënë të vrarë edhe disa civilë të tjerë.
Izraeli njoftoi se gjatë dy ditëve të fundit kishte goditur rreth 150 objektiva të Hezbollahut në jug të Libanit, përfshirë depo armësh, qendra komanduese dhe pozicione raketore. Sipas ushtrisë izraelite, këto objekte përdoreshin për organizimin dhe kryerjen e sulmeve kundër forcave izraelite.
Nga ana tjetër, Hezbollahu pretendoi se kishte goditur një tank Merkava izraelit në zonën Bint Jbeil duke përdorur një dron sulmues. Ushtria izraelite raportoi gjithashtu vdekjen e dy ushtarëve të saj gjatë operacioneve në Libanin jugor.
/tvklan.al












Botërori 2026 
