Të paktën nëntë persona janë vrarë dhe 12 të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore izraelite në jug të Libanit, sipas autoriteteve libaneze, ndërsa ushtria izraelite ka intensifikuar sulmet gjatë natës dhe orëve të para të së shtunës në disa qytete dhe fshatra të rajonit.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA) raportoi se shtatë persona u vranë dhe tre të tjerë u plagosën pasi një sulm ajror goditi një banesë në periferi të Ansarit, në distriktin e Nabatiehut. Goditja shkatërroi plotësisht ndërtesën. Sipas raportimeve nga terreni, mes viktimave kishte fëmijë dhe anëtarë të së njëjtës familje.
Gazetari i Al Jazeera-s, Ali Hashem, duke raportuar nga Nabatiehu, tha se zona konsiderohej nga banorët si relativisht e sigurt, por sulmi i fundit ka shtuar ndjeshëm frikën dhe pasigurinë mes popullsisë. Ai tha se sulmet dhe prishjet e ndërtesave nga forcat izraelite kanë vazhduar në mënyrë të përsëritur në jug të Libanit.
Ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur atë që e cilësoi si infrastrukturë të Hezbollahut në zonat e Nabatiehut dhe Ansarit. Sipas ushtrisë, sulmet erdhën si përgjigje ndaj një veprimi të ndërmarrë kundër ushtarëve izraelitë në zonën e kreshtës Ali al-Taher.
Autoritetet libaneze e kundërshtuan këtë version. Kryeministri i Libanit, Nauaf Salam, e cilësoi përshkallëzimin në Nabatieh, Ansar, Deir al-Zahrani dhe fshatrat përreth si “jashtëzakonisht të rrezikshëm”, duke paralajmëruar se sulmet po dëmtojnë përpjekjet për vendosjen e stabilitetit në jug të vendit.
Salam tha se shtatë personat e vrarë në sulmin në Ansar nuk mund të bënin pjesë të ajo që quhet “infrastrukturë ushtarake” dhe se fëmijët dhe gratë e vrarë nuk mund të konsideroheshin objektiva ushtarake. Ai theksoi se çdo infrastrukturë ushtarake në territorin libanez, nëse ekziston, duhet të trajtohet vetëm nga shteti libanez përmes ushtrisë dhe institucioneve të tjera shtetërore.
Sipas kryeministrit libanez, prania e mundshme e një infrastrukture të tillë nuk i jep Izraelit të drejtën të shkelë territorin libanez dhe të vërë në rrezik civilët. Salam i bëri thirrje Izraelit që të ndalojë përshkallëzimin e sulmeve.
Edhe presidenti libanez, Joseph Aoun, dënoi sulmet e vazhdueshme izraelite në jug të vendit, veçanërisht në Nabatieh dhe zonat përreth. Ai tha se sulmet përbëjnë shkelje të përsëritura të marrëveshjeve dhe mekanizmave të koordinimit ushtarak, si dhe të ligjeve ndërkombëtare që mbrojnë civilët. Aoun deklaroi se sulmi në Ansar kishte vrarë një familje të tërë dhe e përshkroi situatën si një “mesazh të qartë” ndaj procesit të negociatave dhe përpjekjeve amerikane për zbatimin e marrëveshjes.
Ndërkohë, sulmet janë shtrirë në disa zona të tjera të Libanit jugor. NNA raportoi se në orët e para të së shtunës janë kryer disa sulme ajrore ndaj zonës së kreshtës Ali al-Taher, pranë Nabatieh al-Fauqa.
/tvklan.al












Botërori 2026 
