Një sërë sulmesh vdekjeprurëse nëpër shkolla në Europën Perëndimore ka rritur presionin mbi autoritetet për të adresuar një problem që për shumë kohë është parë kryesisht si një dukuri amerikane. Siç shkruan Reuters, kërkohen ligje më të ashpra për armët, masa sigurie dhe kontroll më të fortë të rrjeteve sociale.

Edhe pse masakrat me armë janë ende shumë më të zakonshme në Shtetet e Bashkuara, katër nga sulmet më të rënda në shkolla në Europën Perëndimore këtë shekull kanë ndodhur që nga viti 2023, përfshirë dy këtë vit. Njëra masakër ishte me 11 viktima në Austri dhe një tjetër ndodhi në Suedi.

Vrasjet e kësaj jave në qytetin Graz të Austrisë kanë nxitur thirrje nga liderët politikë për forcimin e ligjeve mbi armët, duke pasuar reagimin e ngjashëm të qeverisë suedeze pas vrasjes së 11 personave në shkollën Campus Risbergska në Örebro në muajin shkurt.

“Masakrat me armë, përfshirë ato në shkolla, dikur ishin një fenomen pothuajse ekskluzivisht amerikan, por kjo po ndryshon. Numri i tyre në Europë dhe gjetkë është në rritje”, thotë Adam Lankford, kriminolog në Universitetin e Alabamës.

Sipas Lankford, një pjesë e kësaj rritjeje vjen si e frymëzuar shpesh nga masakra famëkeqe në SHBA si ajo në shkollën Columbine më 1999, gjë që e vërtetojnë komentet e vetë autorëve apo historiku i kërkimeve të tyre në internet.

“Është si një eksport nga Amerika. Autorët shohin të tjerë që e bëjnë dhe krijohet një efekt zinxhir“, tha ai.

Sipas kërkimeve të Lankford dhe Jason Silva, gjatë periudhës 2005–2010, numri i sulmeve nga persona që kërkonin famë ishte dyfish më i lartë në SHBA krahasuar me pjesën tjetër të botës. Por nga viti 2017 deri në 2022, pjesa tjetër e botës kishte arritur shifrat e SHBA-ve.

Të dhënat e tyre tregojnë gjithashtu se Europa përbën një përqindje gjithnjë e më të madhe të sulmeve masive me armë.

Lankford shton se për politikanët europianë është më e lehtë të veprojnë kundër këtyre sulmeve sesa për ata amerikanë, për shkak të rolit që kanë armët në kulturën dhe identitetin amerikan.

Bashkimi Europian ka lënë në dorë të shteteve anëtare ligjet për armët dhe rregullimin e rrjeteve sociale. Megjithatë, sulmet e fundit kanë shtyrë disa vende të shtrëngojnë rregullat.

Në Suedi, qeveria ka rënë dakord të forcojë kontrollin për personat që aplikojnë për leje armësh dhe të kufizojë përdorimin e disa armëve gjysmë-automatike pas masakrës në Örebro.

Sipas një raporti të Autoritetit të Mjedisit të Punës në Suedi, rastet e dhunës dhe sjelljeve kërcënuese në shkollat e mesme janë rritur me mbi 150% mes viteve 2003 dhe 2023.

Në Finlandë, ku në vitin 2024 një 12-vjeçar qëlloi për vdekje një bashkëmoshatar dhe plagosi rëndë dy të tjerë, shkollat praktikojnë mbylljen e derës dhe fshehjen për t’u mbrojtur nga autorët e mundshëm.

Qeveria ka propozuar gjithashtu dënime më të rënda për mbajtjen e armëve në publik.

Pas një sulmi vdekjeprurës me thikë në një shkollë fillore në Zagreb në dhjetor, qeveria kroate forcoi masat e hyrjes në shkolla dhe vendosi që ato të kenë roje sigurie të detyrueshme.

Gjermania ka shtrënguar gradualisht kontrollin mbi zotërimin e armëve që nga masakrat në shkolla në vitet 2002 dhe 2009, dhe vitin e kaluar ndaloi thikat dhe mbajtjen e tyre në ngjarje publike pas disa sulmeve me thikë.

Sipas kriminologut Dirk Baier nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Zyrih, shtrëngimi i kontrollit të armëve është mënyra e vetme me të cilën politikanët mund të tregojnë se po e marrin seriozisht problemin.

“Sigurisht që do të ketë rezistencë, nga gjuetarët, sportistët që përdorin armë apo grupe të tjera lobuese. Por mendoj se argumentet në favor të shtrëngimit do të jenë më të forta”, tha ai.

Ligjet për armët janë gjithashtu një temë e nxehtë politike në Çeki që nga dhjetori i vitit 2023, kur një student vrau 14 persona në Universitetin Charles në Pragë.

Që nga ajo kohë, vendi ka bërë të detyrueshme që shitësit e armëve të raportojnë çdo blerje të dyshimtë, ndërsa mjekët duhet të kontrollojnë nëse personat me probleme psikologjike zotërojnë leje armësh.

Në Britani, po zhvillohet një hetim publik mbi një sulm në Southport ku tre vajza të vogla u therën për vdekje vitin e kaluar. Seriali televiziv britanik “Adolescence” trajton shqetësimet mbi kulturën toksike në internet dhe efektet te adoleshentët.

Ndërkohë në Francë, presidenti Emmanuel Macron kërkoi këtë muaj që BE-ja të rregullojë me ligj ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, pas një sulmi me thikë në shkollë që përfundoi me fatalitet.

Motivi i sulmuesit në shkollën austriake është ende në hetim. Policia ka deklaruar se ai ishte i tërhequr nga shoqëria dhe kishte një pasion për lojërat online me armë.

Shumica e autorëve të këtyre masakrave janë meshkuj të rinj, dhe sipas Lankford, ekziston një fenomen global ku autorët kërkojnë famën që nuk e kanë arritur në jetën reale, të nxitur pjesërisht nga rrjetet sociale.

“Edhe nëse e dinë që do të vdesin, disa prej tyre emocionohen nga ideja se do të lënë pas një trashëgimi”, tha ai.

Austria ka ligje relativisht liberale për armët, dhe pas sulmit, presidenti Alexander Van der Bellen deklaroi se legjislacioni meriton një rishikim të kujdesshëm.

Sipas politologut austriak Peter Filzmaier, ekziston një mbështetje e gjerë në Austri për forcimin e ligjeve për armët, megjithëse ndalimi total i armëve private duket i pamundur./tvklan.al