10 nëntor 2026– Bashkimi Evropian paralajmëron një reagim të koordinuar ndaj sulmeve kibernetike që goditën sistemet e ftohjes në rreth 700 supermarkete në Francë.
Komisioni Evropian deklaroi se është i përgatitur të ndërmarrë masa të shpejta dhe të përbashkëta, përfshirë vendosjen e sanksioneve ndaj përgjegjësve.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anouar El Anouni, deklaroi gjatë një konference për mediat në Bruksel se BE-ja qëndron në solidaritet të plotë me Francën dhe mbështet vlerësimin e autoriteteve franceze, të cilat ia kanë atribuar sulmet Iranit.
Ai theksoi se Unioni do të përdorë të gjitha mekanizmat në dispozicion për t’iu kundërpërgjigjur aktiviteteve keqdashëse në hapësirën kibernetike.
Mes instrumenteve të parashikuara është edhe paketa evropiane e diplomacisë kibernetike, e cila përfshin masa kufizuese dhe sanksione.
El Anouni bëri të ditur gjithashtu se BE-ja ka ndërmarrë më herët masa kundër një entiteti iranian, në kuadër të regjimit të sanksioneve për sulmet kibernetike ndaj disa vendeve anëtare, veçanërisht Suedisë dhe Francës.
Sipas tij, aktualisht po punohet për vendosjen e sanksioneve të tjera.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, deklaroi se Parisi po shqyrton të gjitha mundësitë për reagim, duke mos përjashtuar as masa që shkojnë përtej sanksioneve dhe veprimeve diplomatike të BE-së.
Kjo lidhet me dyshimet për përfshirjen e një njësie të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit në sulmet kibernetike.
Sipas autoriteteve franceze, sulmi ndodhi gjatë natës së 11 tetorit dhe kishte në shënjestër rreth 700 supermarkete, duke shkaktuar ndërprerje në funksionimin e sistemeve të tyre të ftohjes.
Ndërkohë, prokuroria në Paris ka nisur një hetim ndaj kreut të grupit iranian Shahid Kaveh, një strukturë sulmuese kibernetike që dyshohet se është e lidhur me Qendrën Elektronike dhe Kibernetike të Gardës Revolucionare Islamike.
Në hetim janë përfshirë edhe dy zëvendëskryetarët e grupit, si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar.
Prokurorët francezë kanë kërkuar gjithashtu lëshimin e një urdhër-arresti ndërkombëtar në lidhje me këtë çështje.
/tvklan.al












Botërori 2026 