Rusia po ridrejton furnizimet me karburant nga Siberia drejt rajonit të Moskës dhe po rrit importet nga Bjellorusia, në përpjekje për të shmangur mungesat e karburantit në zonën më të populluar dhe më të pasur të vendit.
Situata është përkeqësuar pas sulmeve të vazhdueshme me dronë të Ukrainës ndaj rafinerive ruse, të cilat kanë dëmtuar kapacitetet e prodhimit dhe kanë shkaktuar ndërprerje në furnizim.
Sipas burimeve të industrisë, prodhimi i benzinës në fillim të muajit korrik zbriti në rreth 65% të nivelit mesatar të konsumit sezonal.
Sulmi ndaj rafinerisë së Moskës në mesin e muajit qershor solli radhë të gjata në pikat e karburantit, megjithatë autoritetet arritën të stabilizojnë furnizimet në kryeqytet deri në mesin e korrikut.
Për të mbuluar mungesat, karburanti po transportohet nga rajonet e Uraleve dhe Siberisë, ndërsa Rusia ka shtuar edhe importet nga Bjellorusia dhe India.
Rajoni i Moskës, ku jetojnë rreth 22 milionë banorë, mbetet përparësi strategjike për autoritetet ruse.
Ndërkohë, situata më e rëndë paraqitet në Krimenë e aneksuar, ku janë vendosur kufizime në furnizimin me karburant, janë pezulluar aktivitetet turistike per fëmijët dhe janë shkurtuar oraret e punës për një pjesë të bizneseve.
Zëvendëskryeministri rus, Aleksandër Novak, deklaroi se tregu i brendshëm i karburanteve është stabilizuar pjesërisht, por pranoi se vështirësi serioze vazhdojnë të ekzistojnë në disa rajone të vendit.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 