Rusia lëshoi ​​një breshëri raketash në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës, duke vrarë të paktën 31 njerëz në të gjithë vendin dhe duke goditur një spital pediatrik.

Më shumë se 40 raketa hipersonike u hodhën nga forcat ruse duke synuar qytete të ndryshme dhe duke dëmtuar infrastrukturën, ndërtesat tregtare dhe banesat në qytete të ndryshme të Ukrainës.

Spitali kryesor i fëmijëve u dëmtua rëndë, ku dritaret u thyen, ndërsa disa reparte si ato për trajtimin e kancerit dhe kujdesit intensiv pësuan dëme të konsiderueshme.

“Kiev, Dnipro, Kryvyi Rih, Sloviansk, Kramatorsk. Më shumë se 40 raketa të llojeve të ndryshme. Ndërtesat e banimit, infrastruktura dhe një spital për fëmijë u dëmtuan,” tha Zelensky.

Autoritetet e qytetit të Kievit thanë se 7 persona u vranë dhe të paktën 50 u plagosën në sulmin në kryeqytet. Në Kryviy Rih, qytetin e lindjes të Zelenskyt, 10 persona u vranë dhe 31 u plagosën, tha kryetari i bashkisë, Oleksandr Vilkul. 3 persona të tjerë vdiqën në Pokrovsk në Ukrainën lindore kur raketat goditën një objekt industrial.

“Të gjitha shërbimet janë të përfshira për të shpëtuar sa më shumë njerëz të jetë e mundur. E gjithë bota duhet të përdorë gjithë vendosmërinë e saj për t’i dhënë fund agresionit rus”, tha Zelenskiy në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Sulmi raketor ndodhi teksa Zelensky u nis për në Varshavë, ku do të takohet me kryeministrin polak Donald Tusk. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko tha se sulmi në kryeqytet ishte një nga më të rëndat që nga fillimi i nisjes së agresionit në Shkurt 2022.

Klan News