Kryeministri Edi Rama reagoi sërish lidhur me fushatën e vlerësimeve negative ndaj bizneseve turistike në platformat online, duke e cilësuar atë një sulm të organizuar dhe të qëllimshëm. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë akuzoi protestuesit për atë që e quajti “terror digjital” ndaj sipërmarrjeve shqiptare.

“Jehona e një TURPI ALLA SHQIPTARÇE arriti deri në majën e piramidës së Google, ku autoritetet tona kërkuan ndihmë për të nxjerrë një sërë sipërmarrjesh nga BLOZA E TERRORIT DIGJITAL të ushtruar prej pengmarrësve të protestës së flamingove, të cilët përmes 10 mijë llogarive të hapura enkas organizuan dhe orkestruan një SULM TË PADËGJUAR KRIMINAL mbi hotele, bujtina, restorante, duke u hequr me DHUNË yjet e mbledhura nga përshtypjet pozitive të klientëve”, tha Rama.

Në reagimin e tij, Rama e cilësoi këtë veprim një sulm ndaj investimeve, turizmit dhe sipërmarrjes, ndërsa përdori tone të ashpra ndaj organizatorëve të protestës.

“Pra, logjika e hurit dhe drurit që i ka dhënë protestës ngjyrën e sorrave e zërin e korbave: Nuk duam investorë të huaj, nuk duam biznese vendase, duam litar, burg, zjarr – tip naziskinësh me qeleshe e komunistash me flamur në qafë, laro e balo të duartrokitur me pasion nga dështakëzemërakë të rënë nga vakti, plot urrejtje, ligësi e mediokritet të pangushëllueshëm”, tha Rama.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se hetimet për rastin po vijojnë, ndërsa sipas tij, me ndihmën e Google po rikthehen vlerësimet e bizneseve të prekura.

“Policia vijon me hetimin e skemës kriminale, ndërkohë që me ndihmën e Google-it faqet e sipërmarrjeve po u rikthehen yjet e merituara me punë e mund të madh”, tha Rama.

Ky sulm online ndaj bizneseve është i padëgjuar më parë ndërsa Shqipëria nuk ka një kuadër ligjor të qartë për ndalimin e këtyre fenomeneve që dëmtojnë sektorët e ekonomisë. 

/tvklan.al