20-vjeçari i armatosur që tentoi të vriste Donald Trump gjatë një tubimi në Pensilvani bëri një kërkim në internet të vrasjes së John F. Kennedy rreth kohës kur ai filloi të përqendronte vëmendjen tek kandidati republikan presidencial.

Drejtori i FBI-së Christopher Wray u shpreh se Thomas Crooks vizitoi vendin e tubimit të Trump në Butler, Pensilvani, dy herë përpara se të hipte në çatinë e një ndërtese më 13 Korrik dhe të qëllonte të paktën tetë plumba, duke plagosur Trump në vesh, duke vrarë një pjesëmarrës në tubim dhe duke plagosur dy të tjerë.

Sipas hetimeve autoritetet kanë hetuar laptopin e agresorit në të cilën u zbulua se në datën 6 Korrik ai kishte bërë një kërkim për vrasjen e Kennedy. Ai gjithashtu kishte kërkuar edhe për Lee Harvey Osëald, i cili vrau ish-presidentin Kenedi në Dallas, Teksas, më 22 Nëntor 1963.

“Ky është një kërkim që është padyshim domethënës për sa i përket gjendjes së tij mendore. Kjo është e njëjta ditë kur ai u regjistrua për mitingun e Butler,” tha Wray.

Rreth dy orë para të shtënave, Crooks kishte edhe një dron të cilën e vendosi mbi zonën rreth 180 metra nga skena ku Trump foli me turmën dhe transmetoi pamjet e drejtpërdrejta për rreth 11 minuta. Oficerët e zbatimit të ligjit nuk e panë Crooks në çati me pushkën e tij të stilit AR-15 deri në ato sekonda përpara se të hapte zjarr.

Pas sulmit në Pensilvani, FBI kreu kontrolle në shtëpinë e agresorit 20-vjeçar ku gjetën gjithashtu edhe lëndë shpërthyese të cilat ishin projektuar të hidheshin nga një distancë e largët në tubimin që do të mbante kandidati republikan për president.

Motivi i të shtënave mbetet i paqartë. Shumë njerëz të afërt të tij e kanë përshkruar Crooks si një të vetmuar dhe lista e kontakteve në telefonin e tij ishte e shkurtër.

Shumë ligjvënës kanë dënuar sulmin ndaj ish Presidentit Trump duke vënë  theksin tek kërcënimet dhe dhuna politike ndër vite si dhe tek retorika e dhunshme.

Klan News