Në Shtetet e Bashkuara po votohet në 16 shtete federale në atë që quhet “Super e marta“ e zgjedhjeve paraprake presidenciale.  Bëhet fjalë për grupin më të madh të shteteve, ku në të dyja kampet votohet në të njejtën ditë dhe ku përfshihen edhe dy ndër më të populluarit, Teksasi dhe Kalifornia. 

Zgjedhjet në këto shtete konsiderohen si të rëndësishme për qartësimin e kandidatëve që do të garojnë për Presidencialet e 5 Nëntorit. Ato kanë 30% e delegatëve demokratë dhe 36% të republikanëve.

Megjithatë, analistët nuk presin surpriza, pasi Donald Tramp ka përballë vetëm një kandidate si Niki Hejlli, e cila të dielën korri të vetmen fitore përballë tij në Uashington, por ka arritur të grumbullojë gati 6 herë më pak delegatë për në konventën kombëtare të korrikut ku zgjidhet kandidati republikan. Edhe tek demokratët, Xho Bajden është në rrugën e sigurtë të rikonfirmimit.

Po ashtu, Tramp në zgjedhjet e “Super të Martës“ përballet pas fitores së një beteje të rëndësishme kundër përjashtimit nga pjesëmarrja në disa shtete. Gjykata e Lartë vendosi të hënën të shfuqizojë vendimet e gjykatave të Kolorados ku votohet këtë të martë, Meinit dhe Ilinoisit, me një vendim që ka efekt në shkallë kombëtare.

Tv Klan