Një lajm i papritur vjen nga ekipi i produksionit i serialit më të ndjekur historik turk, “Dirilis Ertugrul”. Sezonin që vjen, seriali do të vazhdojë transmetimin me emrin “Dirilis Osman”, duke kaluar kështu nga Ertugruli tek i biri, Osmani, i cili do të luhet nga aktori i mirënjohur Burak Ozçivit.

Teksa kjo tashmë dihej prej muajsh, producenti i serialit të rekordeve, Mehmet Bozdag ka surprizuar ndjekësit duke lajmëruar se pas 5 vitesh transmetimi në kanalin e televizionit shtetëror TRT 1, sezonin e ardhshëm “Dirilis Osman” do të transmetohet në kanalin privat televiziv ATV.

Seriali ynë do të shfaqet për shikuesit në ekranin e ATV me emrin “Dirilis Osman”. Uroj që kanali i ri dhe sezoni i ri të bëhet shkak për të mira”, shkroi Bozdag në një postim në rrjetet sociale duke habitur jo pak ndjekësit e shumtë.

Megjithëse do të ndryshojë emri dhe pjesa më e madhe e kastit të aktorëve, sezoni i ri premton emocione të mëdha për të gjtihë shikuesit. /tvklan.al