Sylvinho publikoi listën e lojtarëve që do të grumbullohen për play off-in e Botërorit 2026. Risitë në listë janë mbrojtësit Stavro Pilo dhe Bujar Pllana. Në sy bien mungesat në sulm të Rei Manajt dhe Mirlind Dakut, të dy të dëmtuar. Trajneri i Kuqezinjve tha se duhej të përshtatej.

“Manaj kishte një dëmtim të rëndësishëm, për fat të keq edhe Daku nuk ka asnjë minutë në 2026. Atëherë përshtatesh. Duhet të mendosh, rimendosh e bësh gjëra. Dera është e hapur, kemi 2-3 lojtarë që vijnë dhe jam shumë i lumtur padyshim edhe për ta. Sa i përket Pllanës e Pilos, prej kohësh jemi pas tyre duke i analizuar. Duke qenë se është një ndeshje e rëndësishme kemi hapësirën të shohim cilësitë e tyre”.

Për të plotësuar mungesat janë rikthyer Ernest Muçi, i cili nuk vinte prej qershorit të 2025, dhe Anis Mehmeti që nuk grumbullohej prej vitit 2023.

“Muçin unë e shoh si sulmues, luan edhe në dy pozicione të tjera si sulmues krahu dhe trekuartist. Është një lojtar që shënon, e gjen portën, ka tipare ofensive dhe më pak difensive. Mehmetin e kemi sjellë ne 3 vite më parë dhe është rritur e përmirësuar shumë”.

Sylvinho ka edhe një koment për kundërshtarin e radhës, Poloninë.

“Polonia është përmirësuar shumë si skuadër me trajnerin Urban. Ka bërë shumë mirë në kualifikueset e fundit, mbrohet mirë, është agresive dhe shfrytëzon shumë hapësirat me shpejtësi dhe cilësi. Futbollistët shënojnë, kanë 3-4 lojtarë që mbërrijnë në zonë e finalizojnë”.

Sylvinho ka thirrur 26 lojtarë që do të jenë të gatshëm për ndeshjen e 26 marsit me Poloninë në Varshavë, me shpresën që një sukses të përballë 5 ditë më vonë Kombëtaren me fituesin e sfidës Ukrainë-Suedi për një vend në Kupën e Botës. Prej të hënës do të nisin stërvitjet, ku stafi teknik do të shohë formën e lojtarëve. Ndeshjet e Kombëtares do të transmetohen nga Tv Klan.

Tv Klan

/tvklan.al