“SPAK të hetojë aferën, 20 mln Euro për një incinerator që nuk ekziston”

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar lidhur me djegien e mbetjeve urbane në Mbrostar të Fierit duke u shprehur se mafia dhe korrupsioni po e vdesin këtë qytet.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale Tabaku shkruan se teksa Fieri gdhihet për të tretën ditë rradhazi nën tymin e plehrave, buxheti i shtetit ka tre vjet që paguan 20 milionë Euro për një incinerator që nuk ekziston.

“Gjatë periudhës  së pandemisë, pra për vitin 2020, inceneratori i Fierit morri 6.11 milionë Euro nga taksat e shqiptarëve, ndërkohë që në vitin aktual ky projekt korruptiv për të cilin SPAK ka një dosje voluminoze në tavolinën e saj ka marrë nga buxheti i shtetit gati 3 milionë Euro. E gjithë qeveria me Ramën në krye i dolën për zot këtij projekti, e mbrojtën, sulmuan opozitën kur e denoncoi, firmosën kontrata korruptive prej 400 milionë Eurosh, ndërkohë që paguajnë për mbetjet që bashkitë hedhin në këto inceneratorë. Por Fieri është rasti më tipik i vjedhjes, mashtrimit, korrupsionit dhe zhvatjes së buxhetit të shtetit”.

Tabaku thotë se shteti i ka dhënë koncesion një kompanie pa asnjë ditë eksperiencë, ka shkelur ligjet e procedurat, ka rritur e fryrë kostot, duke mbuluar dështimin me propagandë.

Ndaj sipas saj, ky rast së bashku me dy dosjet e tjera për inceneratorët që PD ka dorëzuar në SPAK duhet të hetohet.

Fieri nuk është i vetmi qytet ku prej ditësh plehrat digjen pak metra larg zonave urbane, e njëjta situatë sipas Tabakut është vërejtur edhe në Durrës e Kavajë.

Tv Klan