Për demokratët progresraporti i Komisionit Evropian pasqyron shqetësimet e ngritura nga opozita dhe protestuesit për ligjet, llogaridhënien dhe funksionimin e demokracisë.

“Shqiptarët në shesh, që janë shumica e këtij vendi, po kërkojnë më shumë Europë. Vetë progresraporti që u lexua dje, kërkon më shumë Europë ndërkohë që njeriu në krye të qeverisë kërkon gjithnjë e më shumë pushtet për veten e tij”, tha Tabaku.

Tabaku thotë se konstatimet e evidentuara në dokument janë një radiografi e problematikave dhe hapave pas që Shqipëria ka bërë përgjatë një viti në procesin e integrimit, duke nisur nga ligji për investimet strategjike, ai për zonat e mbrojtura, paketa e maleve, si dhe ligji për portet strategjike.

“Këto janë realisht hapa pas. Përmenden në progres raportin si pengesa të procesit të integrimit europian. Detyra e qeverisë nuk është të sundojë përmes tiranisë së shumicës. Por përmes demokracisë funksionale dhe institucionale”, tha Tabaku.  

Deputetja demokrate akuzon shumicën jo vetëm për kufizim të kontrollit parlamentar, mungesë dialogu për dy reformat, atë territoriale dhe zgjedhore, por edhe presion ndaj medias e drejtësisë.

“Kjo është një arsye e qartë dhe e plotë se përse në progres raport shkruhet qartazi se përpjekjet e zyrtarëve të lartë apo politikanë për të ushtruar influencë jo ligjore në sistemin juridik, përfshirë dhe SPAK, apo dhe sulmet personale të magjistratëve kanë vazhduar. Parlamenti nuk është më një arenë e debatit parlamentar por një vend i tiranisë së kartonave të shumicës. Kjo përbuzje për llogaridhënien nga ana e shumicës, që ka vendosur të shkelë edhe këshillën e Komisionit Europian, e ka kthyer kuvendin në noter të dëshirave kryeministrore”, tha Tabaku.

Sipas deputetes demokrate treni drejt Bashkimit Europian mund të arrihet vetëm nëse një qeveri është e besueshme dhe e vërtetë ndaj reformave që ndërrmerr, ndaj dhe zgjidhja thotë ajo është krijimi i një qeverie integrimi.

“Sot është koha për një qeveri tjetër, një Qeveri të Integrimit”, tha Tabaku.

/tvklan.al