Deklaratat e Kryeministrit Edi Rama lidhur me protestën e qytetarëve janë shqetësuese për opozitën, pasi krahas gjuhës bullizuese, sipas saj, kreu i qeverisë po dezinformon opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar. Jorida Tabaku, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Medias, tha se këtë problematikë e kishte ngritur edhe gjatë një takimi që zhvilloi me drejtorin e Reporterëve pa Kufij për Europën Lindore, Pavol Szalai.

“Është shumë e rëndësishme sot që ne së pari të luftojmë dezinformimin që vjen nga qeveria, dezinformimin me çdo lloj lajmi i cili sot kontrollohet nga qeveria. Dezinformimi me protestën, dezinformimi me raportet paralele që kryeministri vendos të publikojë, dezinformimi me çdo lloj lajmi i cili sot kontrollohet nga qeveria”.

Qendërzimi i të gjithë informacionit përmes agjencisë së re të krijuar nga qeveria, për opozitën, është një tjetër kërcënim real ndaj lirisë së medias. Tabaku sugjeron ndërhyrje ligjore.

“Duhet të sigurojmë një kuadër ligjor, mbrojtje reale ligjore ndaj gazetarëve kundër padive abuzive që njihen si paditë SLAPP. Dhe së treti, përsa i përket mbështetjes për të gjitha ndryshimet ligjore”.

Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit, Shqipëria u rendit e 83-ta nga 180 vende, duke humbur terren nga viti i kaluar. Edhe raportet e Freedom House dhe V-Dem evidentuan vështirësitë e Shqipërisë në garantimin e lirive civile, lirisë së shprehjes dhe aksesit në informacion të pavarur.

Tv Klan

/tvklan.al