Ky vit është jubilar për “Këngën Magjike” pasi festivali i muzikës mbush 25 vjeç! Prej një çerek shekulli, kompeticioni ka sjellë këngë hit, të paharrueshme, të ngulitura në kujtesën e secilit prej nesh, emocione, por mbi të gjitha muzikë të mirë.

Producenti i festivalit dhe njëkohësisht drejtuesi i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea nis një cikël të ri prej 4 emisionesh për të ritakuar konkurrentët e festivalit. Në puntatën e parë, e cila po zhvillohet në një nga resortet më elitare në Turqi, janë katër këngëtare që kanë fituar çmime  të para dhe mbi të gjitha, kanë lënë shenjën e tyre.

Eneda Tarifa, Aurela Gaçe, Rozana Radi dhe Jonida Maliqi ndajnë kujtimet e tyre nga takimi i parë me  festivalin dhe çfarë ndryshoi për secilën prej tyre.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishit kur u njohët me “Këngën Magjike”? Në kuptimin sa vjeç artistikisht, në çfarë faze të karrierës ishit?

Eneda Tarifa: Unë për shembull isha 2-3 vjeç, sapo kisha filluar. Ishte viti 2001kur isha pjesëmarrëse në “Këngën Magjike” dhe kisha filluar në ’98-ën e lashtë.

Ardit Gjebrea: Aurela, ti me “Këngën Magjike” kur je takuar për herë të parë? Jo në skenë, flas si emër,  si gjë, e ke ndjekur, s’e ke ndjekur?

Aurela Gaçe: Sigurisht, kam qenë një nga ato fanset, isha në sallë gjithmonë dhe duartrokisja edhe fituesit, edhe njerëzit.

Ardit Gjebrea: Në vitin ’99?

Aurela Gaçe: Në ’99-ën.

Ardit Gjebrea: Ti vije nga një fitore, nga Festivali i Këngës së Radio Televizionit, kam përshtypjen?

Aurela Gaçe: Me këngën “S’jam tribu”. Më dukej vetja fituese dhe nuk doja të merrja pjesë e kupton se…   Pastaj ka qenë 2007 kur ishte kthimi im nga Amerika. Mbaj mend që unë nuk e kisha shumë idenë sesi ishte “Kënga Magjike” që do të votohej nga vetë artistët. Mbaj mend që jam trembur pak, kisha pak  frikë se thashë po na zhysin. Por e “kundërta ndodhi…”

Ardit Gjebrea: Po ti, Rozi?

Rozana Radi: Atëherë unë kam qenë në sallë kur ju keni startuar me “Këngën  Magjike”, edicioni i parë dhe ka qenë një ndër ëndrrat e mia që ta prekja atë skenë.

Ardit Gjebrea: Çfarë bëje në ato kohë ti?

Rozana Radi: Në atë kohë kisha bërë dy albume sepse kishin filluar albumet në Shqipëri, turbo-folku bënte namin, muzika ishte në një kaos të vërtetë, nuk po gjenim ende veten se çfarë duhet të këndonim dhe pikërisht ishte viti i parë kur unë do të merrja pjesë në “Këngën Magjike” ku Adi Hila me këngën “Femër”, mbaj mend që  unë kam marrë  pjesë në “Kënga  Magjike”, më ndryshoi edhe shijet muzikore. Ishte pikërisht “Kënga Magjike” që më bëri të shoh muzikën në një këndvështrim tjetër.

Ardit Gjebrea: Ndërsa nga ju të katërta, Jonida është e vetmja që ka marrë pjesë në festivalin e parë “Kënga Magjike”.

Jonida Maliqi: Dhe në fakt kam qenë shumë e vogël, kam qenë 16 vjeç, me një këngë të Ferdinand Dedës pas triumfit që kishte marrë…

Ardit Gjebrea: “E kemi fatin shpresë dhe marrëzi” dhe më bëj një këngë se do të marr çmimin e parë te “Kënga Magjike”.

Jonida Maliqi: Patjetër! Ka qenë shumë e bukur si eksperiencë. Kënga nuk ishte një këngë që më  përshtatej për hir të së vërtetës, por unë vija me një ‘background’ ndryshe nga ajo vajza e festivaleve të fëmijëve ku kisha marrë çmime, po merrja pjesë në një festival modern të muzikës shqiptare siç ishte “Kënga Magjike” e cila për mua do të thoshte shumë. Kisha marrë  pjesë në Radio Televizionin Shqiptar, por emri yt si producent më bënte që pse  jo, ta testoja, ta provoja veten dhe të isha edhe unë mes emrash të mëdhenj sepse mbaj mend që atë vit ka pasur kolosë të muzikës shqiptare./tvklan.al

/tvklan.al