Edi Rama zbriti vetë këtë të shtunë në Durrës për të diskutuar nga afër me banorët e 74 familjeve që preken drejtpërdrejt nga projekti TID, që synon rijetëzimin e bulevardit Epidamn në këtë qytet.

Pasi qëndroi për afro dy orë në takim, në fund banorët arritën një marrëveshje me qeverinë, gjë që e konfirmoi Kryeministri, i cili tha se projekti do të vijojë.

“Kemi rënë dakord se si do të shkojmë përpara, qoftë me atë verifikimin e nevojshëm për objekte që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore. Do të ketë prishje, nuk do të ndalet”.

Kryeministri tha se kishte garantuar banorët se do të rishikohet problemi i disa shtëpive që nuk disponojnë hipotekë, se do të bëhej rivlerësimi i disa banesave që pretendohet se mbartin vlera kulturore, si dhe se do të rishihen referencat e reja sa i përket vlerës së shpronësimit.

“Do të bëhet verifikim për disa shtëpi që pretendohet se janë trashëgimi kulturore dhe disa shtëpi që nuk kanë marrë regjistrimin në hipotekë. E kemi diskutuar edhe çështjen e çmimit dhe do të duhet të shohim referencat e reja”.

Kreu i qeverisë nuk la pa ironizuar edhe përfaqësuesit e opozitës, të cilët prej disa ditësh i janë bashkuar protestës së 74 familjeve durrsake.

“Ata që kanë hallin, me ta kemi folur. 35 të tjerë atje, që nuk përfaqësojnë as qytetin as qytetarët, por vetëm hallin e një 80 e kusur vjeçari, të rrjedhur nga çdolloj rrugë të arsyes, krijojnë situata që janë qesharake dhe që tregojnë se ku është katandisur ajo parti”.

Për riparimin e projektit do të ngrihet një grup ndër-institucional i drejtuar nga një arkitekt i huaj, në bashkëpunim me AZHT, Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Durrësit.

Pjesëmarrja e Kryeministrit Rama në takim me banorët vjen pas përplasjeve të këtyre të fundit ditë më parë me forcat e policisë, të cilët tentuan të hynin me forcë në ambjentet e bashkisë ku po zhvillohej mbledhja e Këshillit Bashkiak.

Projekti i rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn” parashikon shpronësimin e 74 familjeve durrsake, për të cilët qeveria ka akorduar një fond prej 315.5 milionë lekësh.

Tv Klan

/tvklan.al