23 nëntor 2026- Takimi mes presidentit amerikan Donald Trump, presidentit rus Vladimir Putin dhe liderit kinez Xi Jinping ishte në fokus të diskutimeve në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku analistët komentuan se kush përfitoi dhe kush humbi nga ky takim trepalësh.
Analisti Baton Haxhiu u shpreh se fituesja kryesore ishte Kina, e cila sipas tij arriti të vendosej në qendër të vëmendjes dhe të pozicionohej si fuqia kryesore në tryezën e diskutimeve.
Sipas Haxhiut, edhe Putin arriti të përfitonte nga ky takim, duke forcuar pozicionin e tiij si brenda Rusisw dhe po ashtu duke i dërguar një mesazh Evropës se vendimmarrjet mes fuqive të mëdha mund të zhvillohen pa praninë e saj.
Ndërsa për Trumpin, analisti vlerësoi se rezultatet ishin të kufizuara, duke theksuar se presidenti amerikan pranoi Kinën si një fuqi dhe partneritetin me Rusinë, ndërsa la Evropën jashtë diskutimeve.
“E gjithë vëmendja ishte te tavolina e treshes kryesore. Fituesi kryesor ishte Xi dhe Kina. Vendosi Kinën në qendër dhe dy armiqtë i vendosi në skajet e tavolinës. Putin e fitoi pjesën e vet, duke fituar pozicionimin në Rusi. I tha edhe Evropës se është jashtë vendimeve që mund të marrë treshja e madhe. Trump u kthye me rezultate të vogla”, u shpreh Haxhiu.
Edhe opinionistja Ornela Çuçi e konsideroi takimin një përpjekje për të mbajtur nën kontroll rivalitetin mes tri fuqive të mëdha. Sipas saj, secili prej liderëve kishte interesat e veta nga ky takim.
Çuçi theksoi se Trump kishte nevojë për një sukses diplomatik, Xi Jinping përfitoi nga fakti që takimi u zhvillua në Kinë, ndërsa Putin arriti të ulej në të njëjtën tryezë me dy liderët e fuqive të tjera botërore.
Ajo nënvizoi gjithashtu se Evropa mbeti jashtë tryezës së vendimmarrjes, pavarësisht rëndësisë së saj ekonomike dhe tregtare.
Nga ana tjetër, analisti Neritan Sejamini solli në vëmendje mungesën e rezultateve konkrete nga takimi. Sipas tij, nuk pati angazhime për çështjen bërthamore, Ukrainën apo Iranin.
“Nuk u mor asnjë lloj angazhimi për të ardhmen bërthamore. Nuk u diskutua Ukraina, as Irani dhe nuk kishte asnjë deklaratë publike. Nuk pati as konferencë për shtyp nga Trump pas takimit, gjë e pazakontë, që tregon se nuk kishte çfarë të tregonte. U fry shumë si takim, por pa ndonjë rezultat konkret”, u shpreh Sejamini.
Ai theksoi se këto zhvillime duhet t’i kuptojë mirë edhe Shqipëria.
“Evropa duhet të kujdeset më shumë për mbrojtjen. Që të ketë sa më shumë unitet dhe të bazohet sa më shumë në forcat e veta. Shqipëria duhet ta kuptojë se BE-ja është më e rëndësishme tani sesa SHBA-të”, pohoi Sejamini.
/tvklan.al












Botërori 2026 