Një mekanizëm i ri financiar për mbështetjen e artit, kulturës dhe sportit pritet të vihet në zbatim gjatë vitit 2027. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i ftuar në emisionin “Aldo Morning Show”, këtë të enjte, më 12 nëntor, bëri të ditur se drafti për donacionet dhe sponsorizimet pritet të kalojë në mbledhjen e qeverisë.

Sipas ministrit, skema e re do t’u japë mundësi bizneseve të financojnë drejtpërdrejt aktivitete artistike, kulturore dhe sportive, ndërsa shpenzimet e sponsorizimit do t’u njihen në llogaritjen e tatim-fitimit, deri në masën 30%. Gonxhja e cilësoi këtë një ndryshim të rëndësishëm, për të cilin tha se është punuar prej muajsh, ndërsa theksoi se synimi është që përmes këtij mekanizmi të sigurohen burime të reja financimi për sektorët që mbulon ministria.

“Drafti është shumë i guximshëm. Natyrisht që dhe këtu unë kam vetëm falënderim për Ministrinë e Financave, por nëse ka një vështirësi në këto lloj negocimesh natyrisht që është dikasteri i Financave. Preken në mënyrë direkte të ardhurat që mblidhen nga tatim-fitimi dhe nuk ka qenë i lehtë të themi diskutimi me Ministrinë e Financave.

Kemi mbledhjen e qeverisë dhe shpresoj që në rendin shtesë të mbledhjes të kemi dhe miratimin nga ana e qeverisë të draftit të donacioneve dhe sponsorizimit, i cili ka një element të ri që është një risi që është shumë e rëndësishme, historike, për artin, kulturën dhe sportin. Çdo biznes, aktivitet apo subjekt që do të dëshirojë të financojë, të sponsorizojë një aktivitet i cili është art, kulturë, sport, aktivitet i cili ka dhe një interes kombëtar natyrisht, do ketë një certifikim, do futet në një listë që certifikohet për t’u sponsorizuar.

Ky aktivitet mund të financohet direkt nga ky biznes. Ky biznes kur shkon paguan tatim-fitimin e veprimtarisë së vet, nëse ai dëshiron deri në 30%, ose më pak, ose deri në 30%, në vend që të japë para në zyrën e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave, ai dorëzon faturat e aktivitetit që ka sponsorizuar. Pra do çojë faturën dhe marrëveshjen, faturat fiskale dhe marrëveshjen e sponsorizimit. Është një njohje direkte e sponsorizimit, pra njihet 100% ajo që ti harxhon.”

Ministri shpjegoi edhe mënyrën se si do të funksionojë skema, duke marrë si shembull një biznes që ka 100 mijë euro fitim. Nëse ai financon një aktivitet të certifikuar, deri në 30 mijë euro mund të njihen përmes dokumentacionit të sponsorizimit, në vend që kjo shumë të paguhet si tatim-fitim.

Sipas Gonxhes, kjo mënyrë financimi mund të nxisë edhe donatorë të tjerë të përfshihen në mbështetjen e aktiviteteve, duke krijuar një efekt zinxhir dhe duke rritur fondet që shkojnë për artin, kulturën dhe sportin.

“Po ndërkohë çfarë do sjelli kjo? Do sjelli një efekt domino… Po do vijnë dhe 20 të tjera sepse ca të tjerë do thonë ‘po ky do jetë shumë i shikueshëm si event se ky e financoi’. Atëherë do kemi një efekt domino, zinxhir i cili do japë një boost, do japë një shpërthim në vitin 2027.”

Gonxhja theksoi se suksesi i kësaj nisme do të varet nga mënyra se si do të zbatohet, duke nënvizuar nevojën për transparencë dhe rregulla të qarta, në mënyrë që fondet të shkojnë realisht te aktivitetet për të cilat janë parashikuar.

“Shikoni, në qoftë se ne e kalojmë dhe e zbatojmë siç duhet dhe e kthejmë në një sukses formulën e re, instrumentin e ri financiar të ligjit të donacioneve dhe sponsorizimeve, është një gjë shumë e madhe, shumë e rëndësishme për këto sektorë. Dhe nuk është fjala këtu vetëm se si do financojmë ca aktivitete, këtu është ideja që të financosh në këto sektorë.”

Ai e cilësoi mekanizmin e ri si një nga objektivat kryesorë për vitin 2027, duke argumentuar se investimet në art, kulturë dhe sport nuk sjellin përfitime vetëm për këta sektorë, por ndikojnë edhe në shëndetin, mirëqenien dhe zhvillimin ekonomik të shoqërisë.

“1 lek i financuar në këto sektorë është 4 lekë i fituar në shëndetësi, është lek i fituar në rend, është lek i fituar në luftën ndaj kriminalitetit, është jetesë aktive, është shëndet, është kohezion, është krijimtari, është kreativitet, inovacion, është një shoqëri më e lumtur në përgjithësi, është shoqëri më e mirëqenë.”

/tvklan.al