E ftuar sot në emisionin “Rudina”, në Tv Klan ishte 9-vjeçarja Aurora Gjoka, një talent i vërtetë i skenës, e cila numëron mbi 25 çmime në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare dhe dy medalje, dy ari dhe një bronzi, ndër to edhe një vlerësim me emrin e ikonës së muzikës shqiptare, Vaçe Zela.
Aurora rrëfeu se hapat e parë drejt muzikës i ka hedhur që në moshën 4-vjeçare.
“Unë kam nisur që 4 vjeç. Nisa në shtëpi duke kënduar dhe më pas prindërit e mi më dërguan në një kurs kantoje, atje më pranuan dhe kështu vazhdova muzikën.”
Ajo çfarë e bën edhe më të veçantë profilin e vogëlushes është recitali i saj i parë në qytetin e Lezhës, ku ajo interpretoi 11 këngë live në zhanre të ndryshme.
“Unë jam lumturuar shumë, ishte shumë emocionues dhe nuk do e harroj kurrë këtë moment.”
Ajo pohoi se në recital, për të nderuar në interpretimin e këngës së Adem Jasharit, ajo veshi kostumin ushtarak të të atit, i cili ishte pjesë e NATO-s.

“Unë këndova këngën e Adem Jasharit dhe u bë më emocionuese kjo këngë se veshja ishte nga babi im. E kam prerë në përmasat e mia që ta vishja sepse babi im ka qenë pjesë e NATO-s.”
Megjithatë, 9-vjeçarja duket se nuk do të ndalë koncertet e saj, pasi po planifikon një tjetër koncert në vendlindjen e saj në Mirditë.
Aurora e vogël rrëfeu se dëshiron të ndjekë fushën e muzikës në të ardhmen, por gjithashtu ka ëndërr edhe aktrimin.
Jo pa shkak, pasi ajo gjithashtu është e talentuar edhe në zhanrin e aktrimit dhe deri më tani ajo ka interpretuar në dy filma, ndër to edhe një film horror, në të cilin ajo mban rolin kryesor.
“Është e lehtë, por ndonjëherë ka skena të vështira. Unë nuk trembem sepse e di që nuk është e vërtetë.”
Ajo interpretoi acapella këngën “Valsi i Lumturisë” në studion e “Rudina”, ku dhuroi emocione të papërshkrueshme me zërin e saj të mrekullueshëm.












Botërori 2026 