Gabriel Kulla po tërheq vëmendjen e futbollit italian me një supergol të shënuar nga mesfusha. Sulmuesi shqiptar, që aktivizohet me ekipin e të rinjve të Sasuolos, realizoi një goditje të jashtëzakonshme nga rreth 60 metra, duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke shtangur portierin kundërshtar.
Goli i tij është bërë menjëherë viral në rrjetet sociale dhe është vlerësuar gjerësisht nga mediat italiane për cilësinë dhe guximin e ekzekutimit. Kulla është pjesë e përfaqësueses shqiptare U-19 dhe konsiderohet një nga talentet premtuese të futbollit kuqezi. Paraqitjet e tij të mira kanë bërë që ai të debutojë në Serinë A me ekipin e parë të Sasuolos, një sinjal i qartë se klubi italian beson në potencialin e tij.
Nëse vijon me këtë ritëm, sulmuesi shqiptar mund të ketë së shpejti mundësinë për të marrë më shumë minuta. Deri tani, me ekipin e të rinjve, 18-vjeçari ka shënuar 8 gola në 9 ndeshje të luajtura. Talenti i tij vazhdon të rritet dhe ky supergol është një tjetër dëshmi e potencialit të madh që zotëron.
Ndërkohë, edhe sulmuesi tjetër 18-vjeçar, Arman Durmishi, ka gjetur rrugën e rrjetës për 23-vjeçarët e Juventusit në Serinë C italiane. Durmishi la shenjë në pjesën e dytë, ku hyri bukur në zonë, shmangu një kundërshtar dhe lëshoi një gjuajtje me këmbën e djathtë, me topin që përfundoi brenda në rrjetë. Ky gol vulosi rezultatin 3-1, teksa ishte i katërti për sulmuesin shqiptar që po dallohet këtë sezon.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
