Për herë të parë këtë sezon turistik po zbatohet kuadri i unifikuar i tarifave për shërbime të caktuara shëndetësore vetëm për turistët e huaj, jo rezidentë në Shqipëri. Këtë lajm e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, nga Qendra Shëndetësore e Tales në Lezhë.
Turistët e huaj do të paguajnë për të marrë shërbim shëndetësor në 36 Qendra Shëndetësore Verore në të gjithë vendin. Këtë vendim e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, gjatë inspektimit në Qendrën Shëndetësore Verore në Tale të Lezhës.
“Një risi që kemi implementuar këtë vit është pagesa e disa shërbimeve shëndetësore nga turistët e huaj. E theksoj edhe njëherë, vetëm për turistët e huaj, jo për shtetasit shqiptarë, për të cilët shërbimi vazhdon të jetë falas, siç ka qenë gjithmonë. Kemi vendosur disa tarifa të thjeshta, të cilat krijojnë mundësinë që qendrat shëndetësore të sigurojnë të ardhura dytësore. Këto të ardhura do të përdoren nga vetë qendrat për të investuar në përmirësimin e shërbimeve dhe për të plotësuar nevojat më imediate që ato kanë.”
Sipas ministres, me nisjen e verës mbi 3500 turistë të huaj kanë marrë shërbim shëndetësor në qendrat verore.
“Që nga nisja e sezonit turistik, më 1 qershor 2026, mbi 17 mijë pushues kanë marrë shërbim në Qendrat Shëndetësore Verore, ndërsa rreth 21% e tyre kanë qenë turistë të huaj, duke konfirmuar rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të këtyre qendrave në garantimin e kujdesit shëndetësor gjatë sezonit veror.”
36 Qendrat Shëndetësore Verore këtë vit janë pajisur me sistemin e pagesave elektronike (POS), duke u mundësuar turistëve të huaj të kryejnë më lehtësisht pagesat e shërbimeve shëndetësore.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 