Autoriteti i Mediave Audiovizive, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Tatimeve duhet të nënshkruajnë brenda 30 ditëve një memorandum bashkëpunimi për ngritjen e një task-force të përbashkët kundër piraterisë digjitale. Kuvendi kërkon që gjithashtu të përfshihen në këtë çështje edhe institucionet e drejtësisë.
“Mbetet në vlerësimin e SPAK-ut nëse do të përfshihet. Por Prokuroria e Përgjithshme, autoriteti që koordinon prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, duhet ta konsiderojë si një detyrë konkrete, jo si nënshkruese, por si autoriteti i ngarkuar nga ligji për ushtrimin e ndjekjes penale dhe ngritjen e akuzës”, tha kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Gjatë diskutimeve në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, tha se pirateria nuk është një fenomen i veçuar që kufizohet vetëm tek kopjimi i paligjshëm, por është kthyer në një aktivitet të organizuar që shfrytëzon teknologjitë moderne.
“Ajo përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për funksionimin e tregut audioviziv, për cenimin e subjekteve të ligjshëm, për dëmin real të tyre. Megjithatë, këto mundësi për të zhvilluar këtë aktivitet të paligjshëm, pirateria televizive dëmton operatorët që investojnë në mënyrë të ligjshme, në përmbajtje cilësore, në konkurrencën e ndershme, ul stimujt për të bërë investime të reja, kufizon zhvillimin e industrisë krijuese dhe, në fund të fundit, dëmton edhe vetë publikun, i cili ekspozohet ndaj produkteve me një cilësi të ulët, pa garanci sigurie dhe shpeshherë shoqëruar me rreziqe kibernetike”, tha Krasniqi.
Kryetari i AKEP-it, Gentjan Sala, theksoi nevojën e forcimit të masave administrative në rastet e moszbatimit të detyrimeve ligjore.
“Edhe Shqipëria duhet të synojë ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe të konsoliduar për parandalimin e këtyre aktiviteteve. Nuk bëhet fjalë thjesht për identifikimin e përdoruesve apo të shkelësve, por për krijimin e një qasjeje të koordinuar ndërinstitucionale, që të mundësojë një luftë më efikase kundër këtyre fenomeneve. Kjo kërkon angazhim të vazhdueshëm, bazë të fortë ligjore dhe bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që masat parandaluese dhe ndëshkuese të japin rezultatet e pritshme”, u shpreh Sala.
Taulant Balla kërkoi marrjen e masave të menjëhershme në rast të konstatimit të piraterisë.
“Nëse një operator i tregut ka blerë të drejtat televizive të Kampionatit Botëror, nëse ne do të presim këtë që thatë ju, do të mbarojë Botërori dhe gjithë pirateria që e shoqëron do të presë këto propozimet ligjore, në Botërorin e 2030. Ndërkohë që unë mendoj se ligji duhet të jetë më efektiv dhe një sistem alerti, sapo një IPTV pirate hyn në veprim për të ofruar një shërbim, duhet të ketë një sistem të mirëkonfirmuar mes AMA-s, AKEP-it, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë”, tha Balla.
Përfaqësuesit e institucioneve mund të depozitojnë në Kuvend propozime të tjera për piraterinë digjitale, në përmbushje edhe të detyrimeve që burojnë nga anëtarësimi në Bashkimin Europian.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 