Si pjesë e zbatimit të Planit Sektorial për Ndërtimin dhe rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, përmes deklarimit të pagave reale sipas profesioneve në sektorin e ndërtimit, Administrata Tatimore ka nisur kontrollet në terren. Ky hap vjen pas rreth 30 ditësh nga publikimi i listës së pagave indikative për sektorin e ndërtimit dhe bizneset e kësaj fushe që i paguajnë punonjësit më pak se paga e përcaktuar, do t’u nënshtrohen një kontrolli më të thelluar tatimor, në kuadër të luftës ndaj informalitetit.

Fokusi i kontrolleve do të jetë verifikimi i pagave të deklaruara në listëpagesa, duke i krahasuar ato me pagat indikative sipas profesioneve përkatëse, listë e përcjellë në llogaritë elektronike të tatimpaguesve, si dhe e publikuar në faqen zyrtare të Administratës Tatimore.

Mosdeklarimi i punonjësve dhe nëndeklarimi i pagave të tyre konsiderohet shkelje e rëndë, pasi cenon garantimin e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Për këtë qëllim, ndaj çdo tatimpaguesi të vlerësuar me këtë risk do të ndërmerren hetime dhe kontrolle të thelluara për çdo proces të aktivitetit të tyre, duke përfshirë edhe transaksionet me burime të ardhurash të dyshimta, në bashkëpunim me agjenci të tjera ligjzbatuese.

Në listën e publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, paga më e ulët në sektorin e ndërtimit është 60,000 lekë për sanitarin, deri në 85,000 lekë për magazinierin, 95,000 lekë për elektricistin/hidraulikun dhe deri në 160,000 lekë për operatorin e vinçit.

Pra, nëse një magazinier paguhet më pak se 85,000 lekë në muaj nga një biznes në fushën e ndërtimit, ky biznes ka risk më të lartë për penalitete sipas Administratës Tatimore.

Klan News

/tvklan.al