Nga kjo e diel e Pashkës katolike në mëngjes do të zgjohemi më shpejt.

Kjo pasi akrepat e orës do të lëvizin 60 minuta para, duke shënuar kështu nisjen orës verore.

Ndryshimi, ashtu si çdo të diel të fundit të Marsit do të ndodhë në orën 2:00 pas mesnatës, kur akrepat do lëvizin dhe ora do të shënojë 03:00.

Kompjuterat, telefonat dhe të gjithë pajisjet elektronike përditësohen automatikisht, ndërsa do të duhet të kujdesemi manualisht vetëm për orët analoge.

Ndryshimi i orës bëhet me qëllim shfrytëzimin në maksimum të dritës natyrale, duke kursyer energji elektrike për 7 muaj me radhë, por edhe duke sjellë të mira edhe për mjedisin me reduktim të ndjeshëm të çlirimit të gazrave në atmosferë.

Ora verore do të jetë në fuqi deri të dielën e fundit të muajit Tetor kur do të rikthehet ora diellore dhe kur akrepat do të lëvizin sërish 60 minuta pas.

Ndryshimi i orës u prezantua në vitin 1916, gjatë Luftës së Parë Botërore nga Gjermania dhe aleatët e saj në atë kohë, me qëllim që të kursenin përdorimin e qymyrit.

Në Europë, Komisioni Europian e hoqi detyrimin për vendet anëtare për të ndryshuar orën, duke përcaktuar që secili shtet ta vendosë në mënyrë të pavarur nëse do ta ndryshojë apo jo.

Tv Klan

/tvklan.al