Është caktuar vendi dhe koha e raundit të dytë të bisedimeve të drejtpërdrejta mes SHBA-së dhe Teheranit. Presidenti Trump ka deklaruar se, nëse nuk arrihet marrëveshje, Irani do të hidhet në erë. Shtetet e Bashkuara dhe Irani do të takohen në Islamabad të hënën në mbrëmje për raundin e dytë të negociatave, me synimin për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme.

Lajmin e bëri të ditur presidenti Donald Trump, i cili i dërgoi një paralajmërim të fundit Teheranit.

“Ne po ofrojmë një marrëveshje shumë të drejtë dhe të arsyeshme, dhe shpresoj që ta pranojnë, sepse nëse nuk e bëjnë, Shtetet e Bashkuara do të shkatërrojnë çdo termocentral dhe çdo urë në Iran. Boll më! Nëse nuk e pranojnë marrëveshjen, do të jetë nderi im të bëj atë që duhet bërë”, tha presidenti amerikan.

Raundi i dytë vjen vetëm një ditë përpara skadimit të afatit të armëpushimit, ndërsa nga Irani janë shprehur se pavarësisht përparimit në negociata ende ka hendek të madh mes palëve. Pikat kyçe mbeten armët bërthamore të Iranit dhe ngushtica e Hormuzit, e cila u mbyll sërish të shtunën nga ushtria iraniane.

“Nëse ka një ngushticë këtu, ne jemi këtu, dhe ata që duan të kalojnë t’i lini të kalojnë të gjithë, përveç nesh? A është kjo e mundur? Ky është gjithashtu një gabim mbi gabime. Nëse nuk e heqin rrethimin, trafiku në ngushticë do të jetë patjetër i kufizuar”, tha kryenegociatori i Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf.

Presidenti iranian Pezeshkian ka thënë këtë të dielë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë justifikim për ta privuar Iranin nga të drejtat e tij bërthamore. Ndërkohë, Islamabadi është bërë gati. Masa të shtuara sigurie janë vënë re në qytet, ndërsa edhe dy hotele janë boshatisur për të mirëpritur mysafirët nga Uashingtoni dhe Teherani.

Në frontin tjetër, ndonëse armëpushimi është në fuqi, sërish janë raportuar incidente pranë kufirit mes dy vendeve.

Tv Klan

/tvklan.al