Studentët e “Arteve” hapin ekspozitën “Pandemia”

Pandemia e Covid-19 që ka përfshirë botën, iu ka shërbyer studentëve të Fakultetit të Arteve si frymëzim për të krijuar vepra mbi këtë temë.

Të udhëhequr nga profesor Arben Bajo, që njëherazi është edhe kurator i ekspozitës “Pandemia” dhe të gjithë pedagogët e skulpturës dhe të qeramikës, studentët të kufizuar nga hapësirat e tyre familjare dhe individuale prodhuan art.

Kartoni, letra, allçia, materiale të riciklueshme janë disa prej lëndëve që janë përdorur në krijimin e këtyre skulpturave.

“Kjo është një ekspozitë e cila vjen edhe një mbyllje e fundvitit akademik për një pjesë të studentëve, por do të thoja që ky është një proces që ka lidhje jo vetëm me artin, por me kulturën në përgjithësi sepse këtu studentët nuk ekspozojnë vetëm punët e tyre të fundit, por krijojnë një marrëdhënie me hapësirën. Gjithashtu i kemi dhënë mundësinë që veprat e tyre t’i shikojnë në një kontekst bashkëkohor”.

Skulpturat mbartin tematika nga më të ndryshmet, tema që lidhen me aspekte intime, individuale, pra që vijnë në forma ekzistenciale, në forma poetike, në forma narrative, në varësi të situatës që po kalojnë njerëzit, e cila realisht është akoma e paqartë.

Ndërthurja e lirisë së kafshëve dhe izolimit të njeriut janë simbolikat kryesore të përdorura nga studentët, një ide kjo e dhënë nga skulptori Arben Bajo.

Ekspozita “Pandemia”, e hapur në Galerinë Fab fton të gjithë vizitorët duke ruajtur distancën fizike, si dhe duke respektuar rregullat e Covid-19 të shikojnë veprat e realizuara në kushte izolimi.

Klan Plus