Pa u mbushur dy muaj nga konferenca e fundit ndërqeveritare Shqipëri-BE, grupi negociator i kryesuar nga Kryeministri do të ulet në tryezë me përfaqësuesit e unionit për një nga takimet më të rëndësishme të këtij formati: mbylljen e tre kapitujve të parë të procesit të anëtarësimit.

Kapitulli 30, Marrëdhëniet me Jashtë; Kapitulli 25, Shkenca dhe Kërkimi Shkencor; Kapitulli 26, Arsimi dhe Kultura. Këta kapituj konsiderohen të përafruar me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe do të mbyllen pas konferencës të së martës, e cila do të nisë në orën 19:00.

Pala europiane do të përfaqësohet në këtë takim të 9-të ndërqeveritar me Shqipërinë nga Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, dhe Ministrja e Jashtme e Irlandës, vend që nga 1 korriku për 6 muaj mban presidencën e Unionit Europian.

Në total, procesi i negociatave ka 33 kapituj dhe 2 kritere që vendet kandidate duhet të përmbushin teknikisht për të kaluar më pas në fazën tjetër, atë të negociatave politike, ku të gjitha vendet anëtare duhet të ratifikojnë në parlamentet e tyre vendimin për shtimin e radhëve të kësaj familjeje me anëtarë të rinj.

Objektivi i dakordësuar me Komisionin Europian është që vendi ynë ta mbyllë procesin teknik në fund të vitit të ardhshëm, edhe pse të dy palët pranojnë se disa fusha si mjedisi dhe siguria ushqimore do të jenë shumë sfiduese për t’u përmbyllur. Për këtë arsye, grupi negociator shqiptar ka kërkuar një periudhë tranzitore për të përmbushur të gjitha standardet e aplikuara në vendet e BE-së në këto sektorë, që shkon edhe përtej datës së anëtarësimit.

Tv Klan

/tvklan.al