Mbrëmja e Championsit prodhoi spektakël dhe 42 gola në 9 ndeshje.

Parisi tregoi muskujt duke konfirmuar statusin e ekipit kampion të Europës. Këtë herë viktima ishte Leverkuseni, që pësoi 7 gola nga francezët. Pasi Paço zhbllokoi sfidën në minutën e 7-të dhe Garsia barazoi momentalisht, pjesa tjetër e sfidës u dominua totalisht nga skuadra e Enrikes, që shënoi edhe 6 herë në portën e Fleken.

Edhe Barcelona u argëtua me goleadë kundër Olimpiakosit, duke fituar 6-1. Fermin Lopez ishte ylli i mbrëmjes me 3 gola, por në festë morën pjesë edhe Jamal e Rashford.

Në kryesfidën e mbrëmjes, Arsenali tronditi 4-0 Atletikon e Madridit, që rezistoi vetëm 45 minutat e para në “Emirates”. Gabriel ngriti siparin e golave në të 57-tën dhe për 20 minuta sfida u mbyll në favor të “Topçinjve”.

Interi vazhdon momentin pozitiv, duke koleksionuar fitoren e tretë radhazi në Champions dhe të shtatën në të gjitha kompeticionet. Pasi vuajtën në minutat e para, zikaltrit shënuan 4 gola ndaj belgëve të Royal Union.

Napoli u turpërua 6-2 në transfertë kundër PSV-së. Pavarësisht se deri në pjesën e parë u përpoqën të qëndronin në lojë, në fund u shthurën sepse mbetën me 10 lojtarë.

Mançester Siti bëri detyrën kundër Vijarrealit, duke fituar 0-2, ndërsa Benfika e Murinjos ende nuk ka asnjë pikë, pasi u mund nga Njukasëll 3-0.

Klan News

/tvklan.al