Përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të vonuar arritjen e një paqeje të qëndrueshme duket se kanë zgjuar reagimin e Bashkimit Europian. Pavarësisht insistimit të Presidentit Donald Trump për gjetjen e gjuhës së përbashkët për një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës, duket se Rusia nuk ka ndërmend të ndalet.

Lidhur me këtë kaos të vazhdueshëm, ka reaguar shefja e Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, e cila e sheh Rusinë si një kërcënim për përçarjen mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Europës.

Kallas bëri thirrje që Brukseli dhe administrata Trump të qëndrojnë të bashkuara përballë agresionit rus në Ukrainë.

“Deri në këto momente, nuk ka patur asnjë tryezë në të cilën Rusia dhe Ukraina janë ulur bashkë për të biseduar. Po e trajtojnë me diplomaci”, u shpreh Kallas, pas bisedës telefonike që Donald Trump zhvilloi me Vladimir Putin, ku të dy presidentët ranë dakord për një armëpushim 30-ditor të goditjeve në infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Për zëvendëspresidenten e Këshillit Europian, nëse duhet që çdo marrëveshje të funksionojë, do të ishte e domosdoshme prania e europianëve në tryezën e bisedimeve për të bërë të mundur diçka të tillë.

Kallas pati dhe një përgjigje lidhur me telefonatën e kryer mes dy presidentëve Trump dhe Putin.

“Është bukur të shohësh se si po shkojnë gjërat. Trump ishte i qartë se ndihma për Ukrainën nuk u diskutua, teksa në anën tjetër Putin tha të kundërtën. Në këtë rast, i besoj më shumë Trump”, shtoi Kallas.

Po ashtu, Kallas nuk beson në idenë e një armëpushimi mes dy vendeve, për sa kohë që Putin nuk i përmbahet kësaj ideje.

Shefja e Punëve të Jashtme ka paraqitur më herët dhe një propozim për lëshimin e një mbështetje të re ushtarake prej 40 miliardë Eurosh për Ukrainën, dhe në rast se miratohet, do të rrisë dërgesat e municioneve, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe avionëve ushtarakë në favor të ukrainasve.  

/tvklan.al