Nuk është e thënë që divorci është fundi i një marrëdhënie… ndonjëherë ka arsye më të forta që bëjnë bashkë dy njerëz. I tillë ndoshta është edhe rasti i një çifti në Lezhë, të cilët duket se edhe pse i kishin dhënë fund martesës së tyre, ‘biznesin’ e narkotikëve e kryenin ende bashkë. Kështu, 50-vjeçarja Vera Preka ra në pranga, ndërsa ish-bashkëshorti i saj 52-vjeçar, Dod Marvukaj u shpall në kërkim, pasi autoritetet policore gjetën rreth 1.2 kg kokainë në ambientin ku gruaja jetonte.

“Mbi bazën e informacioneve të siguruara së në Ishull, Lezhë, këta shtetas posedonin lëndë narkotike, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në servisin në pronësi të shtetasit D. M., që ishte i përshtatur si banesë për ish-bashkëshorten shtetasen V. P. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1.184 kg lëndë të dyshuar kokainë dhe një peshore elektronike”, thotë policia në një njoftim për mediat.

Aktualisht autoritetet vijojnë punën për kapjen e 52-vjeçarit, i cili rezulton i dënuar më parë për vjedhje dhe që ishte nën masën e sigurisë arrest në shtëpi, për prodhim dhe shitje të narkotikëve./tvklan.al