Ka qenë ora 10 e 30 e mbrëmjes kur një nga policët e shërbimit, i cili ishte futur në ambientet e izolimit për të shpërndarë ushqimin për 40 të burgosurit e Komisariatit të Laçit, është marrë peng prej tyre.
Për disa orë radhazi, 40 të paraburgosur kanë kërkuar me insistim që ministri i Drejtësisë të vijë në këtë komisariat për t’u njohur me kushtet e vështira dhe me trajtimin që u bëhet atyre. Ministria e Rendit ka dërguar menjëherë forcat speciale. Ndërkohë që brenda ambienteve negociohej, godina e Komisariatit ishte plotësisht e siguruar për çdo rast arratisjeje. Të paraburgosurit kanë thirrur dhe një avokat për të bërë kallëzim ndaj shefit të Komisariatit, ish-komandantit të grupit të gatshëm dhe disa efektivave me pretendimin se është ushtruar dhunë, madje ka patur dhe ngacmime seksuale për motrat dhe të afërmet që kanë vizituar të pandehurit.
“ Kallëzimi ishte kundër komandantit të repartit të Komisariatit të rrethit Kurbin, kundër ish-shefit të Komisariatit, kundër përgjegjsit të dhomave, përgjegjsit të grupit të gatshëm dhe gjithë grupit të gatshëm.”
Gazetara: Me çfarë motivi?
“Për keqtrajtime dhe, sepse kanë dashur të abuzojnë komandanti i repartit me familjarët, me motrat e të paraburgosurve në kohën që ata vinin për takim.”
Gazetarja: Po momenti i rebelimit si ka qënë, kush ka qënë i pranishëm nga efektivat e policisë së komisariatit dhe si u bë marrja peng e njërit prej efektivave?
“Siç mësova nga ata aty, nuk e di d.m.th. se sa është e vërtetë, grupi i gatshëm ka hyrë sot si përnatë, i ka keqtrajtuar dhe sot dhe fill pas ksaj ka filluar dhe ky rebelim. Aty kishin mbajtur, por nuk e kanë keqtrajtuar absolutisht një punonjës policie që ri brënda në dhomat e izolimit. Atë me të vajtur unë, me të vajtur unë e liruan dhe pastaj bëmë kallzimin të cilën e firmosën secili, kallzimin penal kundër këtyre personave që u thashë më parë.”
Drejtori i policisë së qarkut dhe autoritetet e drejtorisë së burgjeve i kanë siguruar të burgosurit se brenda 24 orëve do të transferohen nga birucat e komisariatit drejt një burgu të parametrave normalë. E para është larguar nga ky komisariat një e burgosur femër e ndodhur në izolim gjatë momenteve të revoltës. Vetëm rreth orës 2:00 pas mesnate një pjesë e forcave speciale janë larguar nga komisariati duke konfirmuar se gjithçka ishte qetësuar në ambientet e izolimit. Pas ngjarjes është pezulluar nga detyra komandanti i repartit të paraburgimit Laç, tre gardianë dhe dy policë ndaj të cilëve ka filluar ndjekje penale për shkelje të rrgullors në ambientet e paraburgimit. /tvklan.al